Mposhtja e ISIS i dha fund një problemi, por hapi një tjetër

Mposhtja e ISIS i dha fund një problemi, por hapi një tjetër

08:20 21/06/2019

Riintegrimi i luftëtarëve të huaj dhe familjarëve të tyre që kanë qenë pjesë e organizatës terroriste “Shteti Islamik”, është bërë një sfidë me rëndësi e vendeve të prekura nga ekstremizmi fetar. Nga ky fenomen nuk janë imune as Kosova, Shqipëria apo Maqedonia. Për nevojën e angazhimit të aktorëve të ndryshëm të shoqërive në këto vende u fol në një konferencë të organizuar nga Fondacioni Heritage në Uashington DC. Folësit thanë se inkurajimi i sufizmit, që njihet si rrymë më paqësore, do të ndihmonte në luftimin e radikalizmit dhe vehabizmit.

Mposhtja e “Shtetit Islamik”, i dha fund një problemi por hapi një tjetër.

Vendet e ndryshme në Evropë, duke përfshirë edhe Kosovën, Shqipërinë e Maqedoninë veriore, po përballen me vështirësi në riintegrimin e personave që ishin pjesë e ISIS-it, por që u kthyen në shtëpitë e tyre pas rënies së kalifatit. Që nga fillimi i luftës në Siri e Irak dhe shpallja e kalifatit islamik, rreth 1 mijë persona nga Ballkani morën pjesë si luftëtarë në radhët e Isis-it.

Shumë prej tyre u vranë, ndërsa pjesa e mbetur janë duke u riatdhesuar.

Vetëm në Kosovë gjatë muajit prill, siç njoftoi Policia e Kosovës, u kthyen 110 persona.

Gjyqi ndaj të të ashtuquajturve luftëtarë të huaj dhe familjarëve të tyre të kthyer nga zonat e konfliktit, nuk i jep fund sfidës.

Hassan Hassan nga Qendra për Politika Globale, thotë se tani është koha që këta persona të çradikalizohen.

“Shumë njerëz janë në një gjendje hutimi. E ndjej kur intervistoj njerëz që kanë jetuar me ISIS-in. Ne duhet t’u tregojmë se ajo çfarë u ka thënë ISIS-i është nuk është e vërtetë. … Ata u kanë thënë se ne jemi këtu, jo si bandë kriminale ose organizatë terroriste por se thjesht po mundohemi të zbatojmë ligjet e sheriatit dhe rikthimin e islamit të vërtetë. Do të ishte shumë e dëmshme, nëse këtyre ekstremistëve nuk u thuhet se këto nuk janë të vërteta.”

Gazetari dhe aktivisti i të drejtave të njeriut, Shahriar Kabir thotë se sufizmi është rryma që mund të sjellë në botë cilësitë më të mira të myslimanëve.

“Shtetet e perëndimit si edhe shumë vende tjera, mendojnë se terrorizmi mund të përballohet me forcë, duke e parë si një version të ngjashëm me terrorizmin e mafias. Por ky terrorizëm i ka rrënjët në një besim të caktuar, ide të caktuara dhe ajo cfarë ata bëjnë e bëjnë në emër të islamit. Sufistët predikojnë islamin e paqes, të pranimit dhe dashurisë për të gjithë. Jo dashuri vetëm për myslimanët.”

Por, disa analisti thotë se vetëm me sufistët nuk mund të luftohet radikalizmi, që i ka themelet në rrymën vehabiste. Shahriar Kabir thotë se kërkohet angazhimi i tërë shoqërisë myslimane. Gazetari kërkon edhe angazhimin e institucioneve shtetërore që shteti të ndahet nga feja si dhe të pengohet financimi i radikalizmit, nëpërmjet islamit politik.

“Për momentin kemi afër 1.6 miliardë myslimanë dhe unë besoj se më shumë se 90 përqind e tyre nuk e ndjekin konceptin e islamit vehabist. Pra përkrahësit e al kaidës dhe Isis-it janë në numër shumë të vogël. Por, ata kanë armë, kanë para, kanë rrjet global të xhihadistëve. Prandaj qeveritë duhet të përballen me këtë çështje, të ndalojnë këto financime dhe të inkurajojnë demokracinë laike. E dyta janë dokumentet. Ka shumë shënime në të cilat promovohet urrejtja ndaj njerëzve tjerë. Urrejtja ndaj perendimit, ndaj vlerave si demokracia, të drejtat e njeriut, humanizmi. Kjo duhet të thuhet, është përgjegjësi e dijetarëve të islamit, prijësve fetarë.”

Mosfunskionimi i këtyre shtyllave të shoqërisë, është një mundësi më shumë që organizatat terroriste të përhapin idetë e tyre radikale, thotë eksperti i sigurisë Hassan.

“Dështimi i shtetit e lë shoqërinë të pashpresë, dhe ajo nuk mund t’i kundërvihet ekstremistëve. Në tërë rajonin, ku ka pasur konflikte, isis-i dhe ekstremistët u bënë ide dominuese, jo sepse njerëzit i pëlqenin këto ide por sepse ata janë më të organizuar dhe të pamëshirshëm dhe se këto shtete nuk kanë metoda për t’i kundërshtuar këto ide.”

Konferenca me titull “Fuqia e kundër-argumentit: Islami sufist dhe rritja e Vehabizmit”, u organizua nga fondacioni Heritage në Uashington DC./VOA


Delta
LAJMET

Të ngjashme

KPT
KPT
UKT
UKT
Doktori