Ministria e Shëndetësisë njofton me hidhërim të thellë ndarjen nga jeta të profesorit të Fakultetit të Mjekësisë Arjan Pushi, i cili, referuar shërbimit infektiv, ndërroi jetë pak momente më parë në spitalin Infektiv, i prekur nga COVID19, pavarësisht përpjekjes maksimale të stafit mjekësor.

Prof. Arjan Pushi ka patur një karrierë të spikatur në fushën e hematologjisë dhe ka përgatitur shumë breza studentësh të Mjekësisë.
Në njoftimin e saj për mediat, Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjarëve dhe miqve të profesor Arjan Pushit.

Për ndarjen nga jeta të Profesor Pushit reagoi edhe Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

“Ndarja nga jeta e Profesor Arjan Pushit është një dhimbje e madhe për familjen, për miqtë e tij, për kolegët, pedagogët e Universitetit të Mjekësisë ku ka shërbyer për shumë vite. Kontributi i çmuar i Profesor Arjan Pushit për mjekësinë shqiptare, do të mbetet i pashlyeshëm ndër breza. Megjithë përpjekjet e kolegëve, të cilët bënë të pamundurën për ta mbajtur në jetë në spitalin infektiv, prof. Arjani nuk ia doli dot, në betejën me virusin e rrezikshëm. U prehsh në paqe Profesor Pushi! Ngushëllime të sinqerta familjes dhe miqve. Ju jemi pranë në këto momente të vështira!”, shkruajti ajo në një postim në rrjetet sociale. /tvklan.al