MSH kërkon përmbajtje deri në zbulimin e shkakut të vdekjeve në QKUK



MSH kërkon përmbajtje deri në zbulimin e shkakut të vdekjeve në QKUK

17:58 05/07/2020

Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) kanë shprehur keqardhjen me rastin e e vdekjes së pacientëve, të diagnostikuar me COVID-19, në orët e para të mëngjesit të ditës e diel.

Në një komunikatë për media, Ministria e Shëndetësisë, thotë se “për shkak të shtimit të numrit të vdekjeve brenda një afati të shkurtër kohor, janë ngritur dyshime lidhur me natyrën e vdekjes së këtyre pacientëve”.

“Ajo çka SHSKUK mund të konfirmojë deri në këto momente është se të gjithë ketë pacientë kanë qenë të konfirmuar përmes metodës standarde të aplikueshme të diagnostikimit me COVID-19 dhe kanë qenë në gjendje kritike duke u trajtuar në Klinikën Infektive-QKUK”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Kjo ministri i ka bërë thirrje publikut dhe të gjithëve “që të përmbahen nga konkludimet e parakohshme dhe t’u japin kohën e duhur institucioneve përgjegjëse për ta bërë analizën e shkaqeve të vdekjeve”.

Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK ka shprehur ngushëllimet për familjarët e pacientëve që kanë humbur betejën me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se Kosova ka potencial të përballet me koronavirusin, andaj sipas tij, nuk ka vend “për reagime histerike”.

Gjatë të dielës, mediat kanë raportuar se edhe pesë pacientë kanë vdekur nga koronavirusi, ndërkohë që aktualisht në Kosovë janë 66 raste të konfirmuara të vdekjeve nga ky virus.

Arbnora Fazliu nga Mitrovica, vajza e një pacienti 70-vjeçar, që ka qenë i infektuar me koronavirus, e që ka vdekur në orët e hershme të së dielës, u ka thënë mediave se dyshon që babait të saj nuk i është dhënë ndihma e duhur mjekësore.

Policia e Kosovës, të dielën, është parë në ambientet e QKUK-së, por zyrtarët për informim të këtij institucioni nuk e kanë hapur telefonin, që të tregojnë për arsyen se pse ka pasur forca të shtuara policore dhe pse ishte rrethuar me shirita të policisë Klinika Infektive. Më pas këta shirita janë hequr.

Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë që prej regjistrimit të rasteve të para me koronavirus e deri më 4 korrik janë regjistruar 3,356 raste. Prej tyre, 1,874 janë shëruar, ndërsa raste aktive vazhdojnë të jenë edhe 1,416 pacientë./REL




Të ngjashme