Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas skandalit të publikuar në emisionin “Stop” në Tv Klan ku u shfaq një audio e regjistruar nga momenti i dhunimit të një qytetari nga ana e disa mjekëve.

“Nisur nga denoncimi i ngjarjes se rëndë në emisionin Stop në TV Klan, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dënon ashpër çdo formë dhune dhe e konsideron njësoj të papranueshëm çdo akt të tillë, ndaj bluzave të bardha dhe ndaj çdo qytetari”, thuhet në një deklaratë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ngritur menjëherë një grup pune për të kryer një hetim administrativ mbi ngjarjen dhe njëherësh nxit organet kompetente të kryejnë zbardhjen sa më të shpejtë të saj.

Emisioni “Stop” publikoi audion nga momenti kur Ardit Klima dhunohej dhe torturohej barbarisht nga disa mjekë të spitalit të Fierit. Pavarësisht kësaj, 31-vjeçari është vënë në pranga nga policia me akuzën se ka goditur bluzat e bardha.

Një prej mjekëve të përfshirë në ngjarje deklaroi se Klima nuk e kishte goditur, por i kishte vënë dorën në sup. Megjithatë kjo nga ana e mjekut ishte marrë si tendencioze. Sa i përket shenjave të dhunës në fytyrë, mjeku tha se Klima ishte përpjekur që t’i shkaktonte vetë.

Ardit Klima ndodhej në spitalin e Fierit pasi kishte të shtruar babain prej një ishemie. Të afërmit kanë treguar se i riu i ka kapur shumë herë në gabim mjekët dhe infermierët e këtij spitali./tvklan.al