Manastirliu: Eshtë ulur incidenca dy javore

Shtyhet për këtë të martë mbërritja e vaksinave nga Pfizer. 15 210 vaksina kundër Covid është sasia e radhës që pritet të vij në Shqipëri nga Pfizer duke e çuar në mbi 32 800 totalin e dozave të marra deri tani.

Doza me mbi 15 mijë vaksina do të vinte mbrëmjen e së hënës, por Ministria e Shëndetësisë njoftoi se kjo dozë do të vijë të martën. Ka qenë vendim i kompanisë dhe autoritetit përgjegjës për transportin për shtyrjen me 24 orë mbërritjen e dozave të vaksinave në Shqipëri.

Më herët Ministrja e Shëndetesisë, Ogerta Manastirliu, bëri me dije se deri në mes të marsit do të vijnë edhe dozat e para nga CovaX me të cilat prioritet do të kenë mësuesit. “Do të vijojmë me intensifikimin e vaksinimit, duke përmbyllur stafet tona mjekësore dhe duke vijuar me vaksinimin e grupmoshës + 80. ..presim nga instrumenti i Covax-it të mbërrijnë brenda dy javëve të para të marsit dhe 14,400 vaksina të Astra Zeneca, me të cilat do të vijojmë vaksinimin, duke e kombinuar dhe duke pasur prioritet edhe mësuesit”. Manastirliu bëri dhe një panoramë të situatës së përhapjes së koronavirusit në vend duke theksuar se komiteti i ekspertëve po vlerëson shifrat.

“Kemi një incidencë dy javore 495 raste për 100 mijë banorë. Shihet dhe vlerësohet një ulje e lehtë krahasuar me dy javë më parë, ku kishim një incidencë prej 525 raste për 100 mijë banorë.”

Deri tani në vend kanë marrë dozat e vaksinës rreth 13 mijë mjekë, infermierë dhe te moshuar mbi 80 vjeç. /Tv Klan