Ministria e Shëndetësisë ka sqaruar email-in e publikuar nga Partia Demokratike këtë të diel, që sipas selisë blu vërteton që në institucionin që drejtohet nga Ogerta Manastirliu ka rënë zjarr.

Në reagim thuhet se email-i është një tërheqje vëmendje i para 26 ditëve nga përgjegjësja për sigurinë në ministri. Ajo i është drejtuar stafit pas një incidenti të shkaktuar nga një punonjëse.

““Zbulimi” i bërë sot nga PD i referohet një emaili “tërheqje vëmendje” të para 26 ditëve, nga përgjegjësja për sigurinë në ministri, e cila i është drejtuar stafit pas një incidenti të shkaktuar nga një punonjëse, ndaj të cilës më pas është marrë masë administrative”, thuhet në një deklaratë për mediat.

Ministria e Shëndetësisë i konsideron shpifje deklaratat e selisë blu për të manipuluar opinionin publik.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale hedh poshtë aludimet dhe shpifjet e PD, që kërkon të manipulojë opinionin me histori djegie letrash në korridore, kur e di i madh e i vogël se çdo dokument zyrtar ruhet në Protokollin e Ministrisë dhe të çdo institucioni.  Duke bërë publik këtë email, i cili dërgohet rëndom nëpër institucione për t’u tërhequr vëmendjen punonjësve, PD ka demonstruar edhe një herë se protokollet e sigurisë dhe masat disiplinore në MSHMS, funksionojnë më së miri”.

Në reagim thuhet se Ministria e Shëndetësisë është e hapur për çdo hetim di dhe i bën thirrje PD-së që të ndalë fushatën e shpifjeve dhe të presë rezultatin e drejtësisë.

Ish-deputeti Bardh Spahia publikoi një email këtë të diel ku sipas tij vërtetohet se në Ministrinë e Shëndetësisë ka rënë zjarr dhe janë djegur dokumente nga Zyra e Prokurorimit.

Sipas PD-së ky veprim është bërë me qëllim që të zhduken provat e tenderave sekretë, që janë denoncuar më parë nga opozita./tvklan.al