Gene Hackman dhe bashkëshortja e tij, Betsy Arakawa janë përcjellë në banesën e fundit.
People raporton se ata u varrosën me një ceremoni private dhe të dashurit e tyre morën pjesë në një memorial të vogël.
Ceremonia u organizua në Santa Fe dhe ishin të pranishëm tre fëmijët e aktorit, Christopher, Elizabeth dhe Leslie.

Çifti u gjet i vdekur në shtëpinë e tyre në Santa Fe, New Mexico në fund të muajit shkurt. Ngjarja tragjike bëri që policia të niste një hetim për shkakun e vdekjes së tyre.
Rezultoi që aktori 95-vjeçar vuante nga zemra ndërsa përparimi i sëmundjes së Alzheimerit u cilësua si “faktor kontribues”. Pianistja 65-vjeçare kishte qenë e sëmurë me hantavirus, një sëmundje e rrallë infektive që transmetohet nga minjtë.
Objektet e rezidencës së tyre, tre garazhet, dy shtëpizat, tri kasollet dhe dy makinat u gjetën të pushtuara nga jashtëqitjet e minjve. Në rezidencë kishte ngado çarqe që tregojnë se ata ishin në dijeni të pranisë së brejtësve.
Në pjesën kryesore të shtëpisë nuk kishte shenja të tilla dhe rreziku i marrjes së virusit ishte i ulët.







Hantavirusi është një sëmundje e rrallë infektive që nis me simptomat e gripit dhe mund të përshkallëzojë në probleme me mushkërinë e zemrën. Infektimi ndodh përmes frymëmarrjes në mjedise të ndotura me urinë, jashtëqitje apo pështymë brejtësish dhe mund të jenë lloje të ndryshme të tyre, jo vetëm minjtë, por nuk transmetohet nga një person te tjetri./tvklan.al