
Muçi dhuron ‘show’ ndaj Aston Villa
Sulmuesi kuqezi realizoi dygolësh në takimin e parë të Legias në Ligën e Konferencës
Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare të futbollit Ernest Muçi dhuroi spektakël dhe ndihmoi Legian e Varshavës që të merrte një fitore të rëndësishme kundër Aston Vilës 3-2 në sfidën e parë në Grupin E në Ligën e Konferencës.
Lojtari 22-vjeçar shënoi dy herë në portën e mbrojtur nga kampioni i botës dhe portieri i përfaqësueses argjentinase, Emiliano Martinez.
Muçi realizoi golin e dytë për Legian dhe të parin e tij në minutën e 26.
Sulmuesi kuqezi shënoi rrjetën e fitores në të 51′, kur rezultati ishte 2-2.
Ai u zëvendësua në minutën e 72 të lojës, ndërsa tifozët vendas brohoritën emrin e tij dhe e duartrokitën.
Në vazhdim, skuadra polake menaxhoi rezultatin dhe mori fitoren e rëndësishme.
Në faqen e UEFA-s është hapur votimi për futbollistin e javës, ku mes tyre është edhe sulmuesi i përfaqësueses kuqezi.
Tre rivalët e tij janë Kozulj i Zrinjskit, Lojtari i Ludogorets Piotrovski dhe Ranieri i Fiorentinës. Të gjithë shënuan dopietë.
Muçi e ka nisur më së miri sezonin, ndërsa në kampionatin polak, në 6 takime ka shënuar 3 gola.
Klan News