Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të hënë se në datën 15 Shkurt do të vijë një pjesë tjetër e dozave nga Pfizer. Ai u shpreh gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Durrës se me dozat e Shkurtit do të nisë edhe vaksinimi i të moshuarve. Të parët që do ta marrin janë të moshuarit mbi moshën 80-vjeçare. Kreu i qeverisë u shpreh se nga marrëveshja me Pfizer dhe Covax janë kontraktuar 1.6 milionë vaksina.

“Me ardhjen e dozave të Shkurtit do të fillojmë edhe me të moshuarit, por je i ri për të qenë me të parët se do të jenë të parët ata 80+”, tha Rama.

Rama bëri thirrje që të respektohen masat, pasi ekspertët dyshojnë se në Shqipëri kanë hyrë dy mutacionet e reja të koronavirusit ai britanik dhe i Afrikës së Jugut. Rama u shpreh se ky i fundit është edhe më vdekjeprurës.

“Ajo që është e rëndësishme është që të respektojmë masat sepse hyrja e mundshme e varianteve të reja, sidomos variantit jug-afrikan apo britanik, sjell me vete dy gjëra. Këto dy variante të reja kanë dy gjëra të reja, rrisin shumë më tepër tranmetueshmërinë dhe varianti jug-afrikan rrit deri në 30% agresivitetin, pra është më vdekjeprurës. Ne duhet të zbatojmë masat. Nesër Komiteti Teknik do të mblidhet dhe do të shikojmë nëse do të propozojnë masa të reja. Duhet të qëndrojmë në ekuilibër”, tha Rama./tvklan.al