Lëvizja 5 Yjet dhe Lega Nord do të bëjnë përpjekjen e fundit për të bindur presidentin italian, të mandatojë kabinetin e kryesuar nga Giuseppe Conte që ata propozuan javën e kaluar.  Kreu i 5 Yjeve, Luigi di Maio bëri sërish lëshime duke pranuar zhvendosjen e euroskeptikut Paolo Savona në një tjetër ministri në atë të industrisë.

Në listën e javës së kaluar, ai qëndronte në krye të Ekonomisë e Financave, një zgjedhje që Mattarella e refuzoi kategorikisht. Edhe Matteo Salvini i Lega Nord e ka zbutur qëndrimin e tij, pasi fillimisht e refuzoi në mënyrë kategorike këtë zhvendosje.

Ndryshimet diskutohen në një takim të organizuar nga kreu i 5 Yjeve, si pjesë e përpjekjeve për të rikthyer opsionin e një qeverie me profesorin e jurisprudencës Giuseppe Conte. Por qeveria e re mund të ketë një sfond edhe më të theksuar euroskeptik, pasi pjesë e qeverisë së re me shumë gjasa do të jenë edhe nacionalistët e Fratelli d’Italia, çka ngre pikëpyetje nëse presidenti do e pranojë.

Nëse qeveria nuk miratohet vendi do të shkojë brenda pak javëve në zgjedhje të reja. E gjithë Europa i ka sytë nga Italia, ekonomia e tretë më e fuqishme e unionit, që mund të sjellë vështirësi me programin e saj financiar euroskeptik.

Tv Klan