Mungesa e banesave në qytetet gjermane vazhdon

Mungesa e banesave në qytetet gjermane vazhdon

22:40 22/07/2019

Në Gjermani bëhen ndërtime-por në vendin e gabuar. Ky është rezultat i një studimi të ekspertëve. Në një kohë që në qytetet e mëdha ndërtohet shumë pak, shumë shtëpi po ndërtohen në fshat-dhe mbeten bosh.

Siç bëjnë të ditur ekspertët e Institutit të Ekonomisë Gjermane (IW) në Këln, në Gjermani në tre vitet e fundit janë ndërtuar rreth 283.000 apartamente. Kjo i përgjigjet thuajse një të pestës së nevojës. Sipas një studimi të ri, këtë vit dhe vitin e ardhshëm duhet të ndërtohen rreth 340.000 shtëpi të reja, për të mbuluar kërkesën.

Në modelin e tyre, ekonomistët e IW, llogarisin duke u bazuar në zhvillimin demografik të parashikuar, përdorimin e banesave në varësi të moshës dhe shifrën aktuale të banesave bosh, se sa duhet të ndërtohet në qytete dhe qarqe për të plotësuar kërkesën.

Qytetet e mëdha kanë mbetur prapa

Sipas studimit, ato që kanë mbetur prapa me ndërtime janë sidomos qytetet e mëdha. Kështu, në Këln dhe Shtutgart janë ndërtuar vetëm rreth gjysma e apartamenteve, të cilat do të ishin të nevojshme sipas IW për të përmbushur kërkesën. Edhe Mynihu, Frankfurti mbi Main dhe Berlini gjithashtu janë më pas se mesatarja kombëtare, edhe nëse jo në masë të madhe.

Ndërsa në Shtutgart janë ndërtuar vetëm 56 për qind e apartamenteve që do të ishin të nevojshme. Vetëm pak më e mirë është gjendja në Mynih (67 përqind), Berlin (73) dhe Frankfurt / Main (78). “Këtu jo vetëm aktualisht ka mungesë banesash, por edhe në plan afatgjatë është e nevojshme që ritmi i ndërtimeve të përshpejtohet”, shkruajnë autorët Ralph Henger dhe Michael Voigtländer.

Mungesa e personelit dhe rregulloret

Në shumë qytete universitare, si në Münster është ndërtuar shumë pak. Arsyet për gjendjen e vështirë janë numri i madh i të ardhurve në qytete, personeli i pakët në zyrat e ndërtimit, rregullat strikte dhe mungesa e punëtorëve të kualifikuar në industrinë e ndërtimit. “Ndërtimet nuk e ndjekin ritmin,” tha Henger. Qytetet duhet të bëjnë përpjekje për të ngadalësuar rritjen e qirave, kërkojnë autorët.

Vendimtare për këtë në metropole është ofrimi e tokës së ndërtimit për të tërhequr investituesit. Përveç kësaj, në disa vende duhet të rindërtohen ndërtesat e vjetra, në vend të ndërtimit të ndërtesave të reja. Federata dhe landi duhet të sigurojnë më tej mbështetje financiare për qytete të tilla si Këlni, për shembull për zgjerimin e trafikut të distancave të afërta. Po të qenë më të lidhura me qytetet fshatrat përreth, jetesa atje do të bëhej më tërheqëse dhe presioni brenda qytetit në tregun e strehimit do të dobësohej disi.

Bum ndërtimesh në rajone ku mungon infrastruktura

Sipas ekonomistëve, situata paraqitet mjaft e ndryshme në zonat rurale: “Ndërsa qendrat urbane ka me plotëkuptimin e fjalës luftë për hapësira banimi, në shumë qarqe dhe qytete ku mungon infrasktura ka tepër shumë ndërtime”, tha IW. Në 69 nga 401 qytetet jashtë qarqeve dhe në qarqe, në dy vitet e fundit janë ndërtuar më shumë se 50 për qind më shumë shtëpi sesa kërkon aktualisht modeli i IW-së. Pasoja janë banesat bosh.

Por studimi përmban edhe një lajm: në perspektivë, problemi i mungesës së banesave mund të lehtësohet disi: sipas autorëve të studimit, kërkesa do të bjerë në rreth 260.000 në vit deri në vitin 2025 dhe në rreth 246.000 deri në vitin 2030. Arsyeja kryesore për këtë është rënia e pritshme e emigrimt, e cila nuk pritet të vazhdojë në një nivel prej më shumë se 400.000 njerëzish në vit./DW


Delta
LAJMET

Të ngjashme

KPT
KPT
UKT
UKT
Doktori