Atmosfera që krijojnë dritat në bulevardin kryesor të Tiranës është ndryshuar prej disa orësh. Mungesa e energjisë elektrike ka lënë në errësirë qendrën e Tiranës, e cila deri mbrëmë vezullonte nga dritat dhe zbukurimet.

Pjesa e rrugës nga kryeministria deri te godina e Ministrisë së Mbrojtjes është ndriçuar vetëm nga dritat e makinave, që mbushin orët e mbrëmjes këtë aks. Megjithatë bulevardi edhe sot nuk është braktisur nga kalimtarët, të cilët gjithsesi e kanë pasur të vështirë të mësohen me pamjen thuajse të trishtuar të qendrës në prag të fundvitit.

Errësira nëpër lagjet e Tiranës dhe qyteteve të tjera, tashmë është e pranishme edhe në vendin i cili pas disa orësh do të kthehet në arenën kryesore të pritjes së vitit 2003. Deri më tani korporata elektroenergjetike shqiptare nuk ka bërë të ditur zyrtarisht edhe për sa kohë do të mungojë energjia elektrike në mes të kryeqytetit.

Edhe pse mësohet se defekti në autotransformator është riparua askush nuk ka sqaruar nëse kjo do të sjellë energjinë elektrike në bulevardin kryesor të Tiranës./tvklan.al