Në të gjithë Europën transmetohen pa ndërprerje

Kur qytetarët u njohën fillimisht me shpejtësinë e përhapjes së Koronavirusit në Itali, shumë nxituan drejt farmacive për të blerë maskat mbrojtëse. U desh sqarimi i përsëritur i mjekëve në edicionet e lajmeve dhe në emisionet e njëpasnjëshme, për të kuptuar se maskat nuk të mbrojnë nga transmetimi i koronavirusit. Përkundrazi, konsumimi i tyre para kohe, do t’i kushtonte më shumë pacientëve dhe mjekëve, që vërtetë do të kishin nevojë për to.

Ky ishte vetëm një nga lajmet e rreme, që u përhap me shpejtësi, në një atmosferë paniku dhe paqartësie në lidhje me transmetimin e virusit Covid-19.

Në një situatë të tillë, kur koronavirusi është kryefjalë e bisedave të përditshme, në media ka munguar fushata sensibilizuese e autoriteteve që të informojë qytetarët për masat që duhen marrë nga qytetarët.

Ndryshe ndodh në vendet e tjera të Bashkimit Europian. Siç shihet në këtë video-mesazh, moderatori i Sanremos këtë vit, Amadeus, është përzgjedhur nga autoritetet italiane për të dhënë sa me qartë këshillat për qytetarët.

Njësoj në Francë, fushatat sensibilizuese janë një nismë normale, në një situatë ku të pavërtetat përhapen bashkë me panikun në rrjetet sociale, nga burime të pasigurta.

Mesazhet sensibilizuese janë afishuar edhe në faqet zyrtare të internetit të ministrive përkatëse, si informacione të qarta dhe nga burime të sigurta për të këshilluar qytetarët.

Përndryshe, në epokën e rrjeteve sociale, është më e lehtë se kurrë përhapja e lajmeve të rreme, mes qytetarëve që kanë nevojë më shumë se asnjëherë për kujdesin e shtetit.

Tv Klan