Kryeprokurori: Vakancat do të sjellin pasoja edhe më të mëdha për sistemin. Kërkohen masa drastike

Kryeprokurori Olsian Çela thotë se mungesa e stafit po i afrohet prokurorive të mëdha. Në një prononcim për gazetarët, Çela tha se deri më tani, mungesën e kanë pasur përgjithësisht prokuroritë e vogla, por tani kjo mungesë po i afrohet prokurorive të mëdha. Këto vakanca tha Kryeprokurori do të sjellin pasoja edhe më të mëdha për sistemin e drejtësisë. Çela tha se në kushtet kur vakancat shtohen, masat që duhen marrë duhet të jenë drastike. Mes tyre ai rendit hartën e re gjyqësore, por edhe stazhin profesional të studentëve që janë në vitit e tretë të Magjistraturës. Për Kryeprokurorin, çelësi janë prurjet e reja.   

Prej gati një viti po diskutohet për hartën e re gjyqësore dhe ditën e djeshme ju keni patur edhe një takim me kryetaren e KLGJ. Cili është qëndrimi i prokurorisë lidhur me hartën që është propozuar, sa i takon shkrirjes së shumë gjykatave. A do ketë kjo pasoja në disa prokurori të rretheve?

Ne patëm një takim dje, ka qenë një shqetësim që unë e kam paraqitur edhe në takime të tjera, urgjencën e ndërmarrjes së veprimeve konkrete në drejtim të një harte të re gjyqësore. Kryetarja e KLGJ më njohu me projektin dhe me atë se çfarë kanë propozuar aktualisht te Ministri i Drejtësisë. Ajo çfarë përbën thelbin e propozimeve përqaset me atë që ka qenë ideja jonë për mënyrën sesi duhet të konfigurohet kjo hartë e re gjyqësore. Mendojmë që në një plan afatmesëm do arrijë të amortizojë vakancat të shumta që janë në sistem. Mos harrojmë që vakancat vazhdojnë të shtohen. Çka do të thotë që masat që ne duhet të marrim duhet të jenë drastike. Mendoj se kjo masë nuk mund të jetë e vetme. Patjetër që do të krijojë lehtësi për mënyrën si do funksionojnë, si prokuroritë dhe gjykata. Masa duhet të merren edhe sa i përket funksionimit të shkollës së Magjistraturës. Është e domosdoshme që viti i tretë të kthehet në një vit stazhi profesional, në modelin e dikurshëm, pasi kjo do të lehtësojë në një afat më optimal barrën e rëndë që janë duke përballuar i gjithë sistemi i drejtësisë.

Jo pak herë keni ngritur shqetësimin e problematikës së vakancave në disa prokurori. Cilat janë këto prokurori në mungesë stafi?

Përgjithësisht kanë qenë prokuroritë e vogla, të cilat kanë vuajtur mungesën me stafin. Ajo çfarë po ndodh tani është që kjo mungesë po i afrohet prokurorive të mëdha. Këto vakanca po i konstatojmë në prokuroritë e mëdha të vendit çka do të sjellë pasoja edhe më të mëdha për sistemin. Ndaj rigrupimi i këtyre prokurorive, projekti aktual parashikon 12 gjykata dhe prokurori të shkallës së parë, mendojmë që do të krijojë një shpërndarje më të drejtë të punës mes prokurorëve. Do të krijojë një ngarkesë le të themi të përballueshme duke pritur prurjet e reja. Pra pa prurjet e reja, kjo është vetëm një zgjidhje e ndërmjetme. Prurjet e reja janë çelësi./tvklan.al