Ministri i Shëndetësisë në Gjermani, Jens Spahn, ka dhënë alarmin për mungesën e vaksinave deri në muajin Prill. Spahn ka thënë se situata është shumë e vështirë dhe vendet në Evropë mund të përballen me mungesat e dozave të vaksinave deri në Prill.

Ne do të kemi akoma të paktën 10 javë të vështira me një mungesë vaksine“, tha ministri duke shtuar se ai donte të thërriste një samit të udhëheqësve federalë dhe rajonalë në Gjermani për të diskutuar për planin e vaksinimit.

Ministri shtoi se donte të ftonte kompanitë farmaceutike dhe prodhuesit e vaksinave në një takim, për t’u siguruar që Evropa të marrë pjesën e saj të duhur të dozave dhe për të diskutuar se si mund të mbështeten për të rritur kapacitetet prodhuese.

Spahn më tej u shpreh se prodhimi i vaksinave ishte shumë i komplikuar dhe shtimi i prodhimit nuk mund të bëhej nëse nuk do të respektohen standardet e cilësisë.

Evropa po përballet me një vonesë të dërgesave të vaksinave nga Pfizer dhe AstraZeneca ka thënë se dërgesat do të bëhen me vonesë gjithashtu.

Nga ana tjetër Italia ka kërcënuar me padi në gjykatë kundër kompanisë amerikane, pasi vonesat e vaksinave mund të shkatërrojnë dhe programin kombëtar të vaksinimit./tvklan.al