Mungesa e vendimit për negociatat, Rama: Përplasje mes Francës dhe Gjermanisë

Posta

Mungesa e vendimit për negociatat, Rama: Përplasje mes Francës dhe Gjermanisë

17:30 18/10/2019

“Ne i kemi përmbushur detyrat, jo një herë, por dy herë rresht.”

Kryeministri Edi Rama tha se mosarritja e një vendimi për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, është përplasje mes të mëdhenjve.

“Ne i kemi përmbushur detyrat, jo një herë, por dy herë rresht”, tha Rama në një konferencë për shtyp mbi dështimin e konsensusit në Këshillin Europian, lidhur me çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

“Kjo që ka ndodhur është një rezultat i mosarritjes së konsensusit të vendeve anëtare për arsyet e tyre. Është e tepërt kur i shtohen bishta kësaj që është thelbësore. Azilantët etj, janë bishta. Thënë e gjitha kjo, vlen të nënvizohet se kemi marrë një refuzim për tu marrë në konsideratë për çeljen e negociatave, por asgjë më shumë se kaq. Rruga jonë është e njëjtë pa asnjë dyshim. Ato që kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë i kemi bërë dhe vazhdojmë t’i bëjmë për vendin tonë. Kjo është një përplasje mes të mëdhenjve dhe është një lojë qasjesh dhe interesash që është shumë më e madhe se ne, si Shqipëri apo si rajon. Nga ana tjetër askush nuk e ka përjashtuar dhe nuk e përjashton perspektivën tonë në BE.”

Rama tha se Shqipëria do të vazhdojë po njësoj me plotësimin e parakushteve të vendosura në votën ‘Po’ të Bundestagut, për reformën zgjedhore sipas rekomandimit të OSBE/ODIHR dhe plotësimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kundërshtimi i Francës, Holandës dhe Danimarkës bëri që liderët e vendeve të Bashkimit Europian të mos arrinin në një vendim për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Janë bërë përpjekje maksimale për të arritur të marrim atë që na takon, dhe atë që kemi merituar. Këtë nuk e them unë, nuk e themi ne, por e ka thënë me shkrim edhe Komisioni Europian dhe një pjesë e madhe e kryeministrave të BE, dhe Kancelarja gjermane. Dua t’ju them se kam marrë një numër të konsiderueshëm mesazhesh nga një pjesë e kryeministrave të pranishëm në takim. Kemi qenë në kontakt edhe dje edhe mbrëmë. Kam komunikuar edhe me Presidentin e Francës dhe nëse duam të shikojmë drejt në sy të vërtetën është ajo që kam thënë prej disa kohësh, se procesi po shkonte drejt një përplasjeje qasjesh mes Francës dhe Gjermanisë dhe një pjese të frontit që ishte për një po të qartë. Gjermania bëri një lëvizje me shpresën për një kompromis, duke vendosur një ‘por’ pas, por nuk ka pasur asnjë hapje nga ana e Macron. Franca nuk pranon të vazhdohet me të njëjtin proces. Franca kërkon një reformim të brendshëm të BE dhe transformim të vetë procesit të integrimit madje deri në pikën që të arrihet në një tjetër objektiv për horizontin e integrimit, një ndërveprim me Ballkanin perëndimor, që nuk mund të zhvillohet sipas Macron siç është zhvilluar deri më tani procesi i zgjerimit”, tha Rama.

I pyetur nëse do të kërkojë votëbesim për zgjedhje të parakohshme, në mënyrë që ndoshta të kënaqë edhe kërkesat e opozitës, Rama tha: “Sa i përket votëbesimit për të plotësuar një nga pikat, për të kënaqur ata, unë mendoj që ne kemi absolutisht shumë gjëra për të bërë dhe s’kemi kohë për të humbur. Kemi plot punë për të bërë dhe as nuk bëhet fjalë për të kënaqur askënd që s’ka punë apo që nuk di t’i gjejë punë vetes. Flas për ata që merren me politikë dhe për ata që thonë i kemi dërguar platformën, zbatoje ose hap krahun. Për ata e kam se mos keqkuptohemi./tvklan.al


Reklama
Grupi
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
Grupi
UKT