Shtëpia e Lefter Zhidrut i përngjan një skene që duket e shkëputur nga një film aksion.

Vrimat në mur si pasojë e të shtënave me armë janë të dukshme thuajse në çdo cep të banesës, ndërsa në vendin ku u ekzekutua, shenjat e gjakut janë ende të freskëta.

Këto janë pamjet e siguruara nga tvklan.al, brenda shtëpisë në lagjen 11 nëntori në Elbasan, aty ku një ditë më parë, RENEA ekzekutoi 71-vjeçarin Lefter Zhidru, pasi ky i fundit bëri rezistencë për 5 orë me radhë.

Gjithçka nisi rreth orës 13:20, kur 71-vjeçari u konfliktua me bashkëshorten, e cila njoftoi policinë. Me të mbërritur policia, Zhidru u fut në banesë dhe nisi rezistencën e tij, duke hapur zjarr ndaj efektivëve.

Plumbat lanë të plagosur edhe dy të rinj, kalimtarë të rastit, fatmirësisht pa probleme për jetën.

Për orë me radhë, policia u përpoq të negocionte me 71-vjeçarin që të dorëzohej, por pa sukses. Ai vijoi të hapte zjarr.

Aksioni i RENEA-s për të ndërhyrë brenda banesës së ndodhi orës 18:00. Forcat speciale shpërthyen me eksploziv derën kryesore të apartamentit dhe më pas hodhën gaz lotsjellës dhe tymuese.

71-vjeçari qëlloi me armë gjatë këtij momenti, ndërsa RENEA u kundërpërgjigj. Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë Lefter Zhidru.

Brenda banesës së 71-vjeçarit, RENEA gjeti sasi të konsiderueshme municioni luftarak dhe disa kallëpe tritol të lidhura me fitil zjarrpërcjellës./tvklan.al