Barriera 5.5 metra e gjatë në kufi me Bjellorusinë u krijua për të mbrojtur anën lindore të BE nga migrimi i paligjshëm

Të ulur në papafingo që ndryshe e quajnë edhe si “shtëpi e sigurt” vetëm disa kilometra larg kufirit polak me Bjellorusinë, Joel dhe Lisa, një çift nga Kuba tregojnë se si kishin kaluar gardhin gjatë natës pasi kishin ardhur nga Rusia.

Ata ishin shpërngulur në Rusi me vizë studentore në Prill të vitit 2021. Ata gjetën një punë në një rrobaqepësi në qytetin e Ivanovës, por pasi situata politike në Rusi u tensionua për shkak të luftës në Ukrainë, ata vendosën të merrnin një udhëtim të gjatë për në Spanjë nëpërmjet Bjellorusisë dhe Polonisë, për t’u bashkuar me familjen e tyre.

“Është shumë e vështirë të kalosh. Çdo vend ka masat e veta, por unë besoj se migrimi nuk do të ndalet kurrë. Njerëzit gjithmonë do të kërkojnë mënyra, sepse kur keni një situatë të vështirë ekonomike dhe shihni se familja juaj po kalon një kohë të vështirë, ju bëni gjithçka që duhet”.

Çifti u end në pyjet polake për tre ditë, përpara se një grua vendase t’i ndihmonte të gjenin një vend ku mund të pushonin për disa ditë. 

“Para se të ngjiteshim, vendosëm të dy bagazhet së bashku me këpucët midis hekurave. Më pas shkuam në anën tjetër dhe vrapuam. Çdo gjë ka sakrificë dhe këtë po e bëjmë vetëm për familjen, për një të ardhme më të mirë”.

Barriera 5.5 metra e gjatë e Polonisë, e ndërtuar në kufirin e saj me Bjellorusinë, ishte menduar të ishte versioni i saj i murit të ish-presidentit amerikan Trump në kufirin me Meksikën. Ai u ndërtua për të mbrojtur kufirin lindor të Bashkimit Europian nga migrimi i paligjshëm. Por duket se muri i sapondërtuar dhe i pajisur me teknologjinë më të re  mund të mos jetë i mjaftueshëm për të ndalur fluksin e njerëzve që përpiqen të kalojnë në Poloni me shpresën për një jetë më të mirë.

Vetëm midis 16 dhe 22 Qershorit, më shumë se 200 emigrantë të paligjshëm kanë tentuar të futen në Poloni. Shumica e emigrantëve tani vijnë nga Rusia, ndryshe nga viti i kaluar kur shumica erdhën nga Lindja e Mesme nëpërmjet Bjellorusisë. Përgjatë këtij viti rreth 5,859 emigrantë u përpoqën të hyjnë ilegalisht në Poloni nga Bjellorusia, krahasuar me 39,269 midis Gushtit dhe Dhjetorit 2021.

Klan News