Mbrëmjen e djeshme pas katër ditë diskutimesh, Këshilli Politik arriti në një marrëveshje për Reformën Zgjedhore. Por mëngjesin e kësaj të shtune, pas takimit që zhvilluan me ambasadoren e SHBA në Tiranë , Yuri Kim, deputeti Myslim Murrizi deklaroi se nuk do ta votojë në Kuvend këtë Reformë.

Murrizi tha se pa u plotësuar kushti për lista të hapura, votimi të emigrantëve dhe administratë zgjehdore jo politike, nuk do të votojnë asnjë ndryshim.

“Kërkojmë lista të hapura, administratë zgjedhore jo politike, ndryshe nuk votojmë të 39 deputetët asnjë shtesë tjetër. Nuk e morëm vesh se çfarë kërkoi (Yuri Kim), nuk i lamë hapësirë kërkesave të saj, kishim shkuar për të shprehur qëndrimin tonë korrekt, të palëkundur në firmat e 39 deputetëve të opozitës. Nuk votojmë asgjë në Parlament jashtë asaj që kemi kërkuar prej 15 muajsh, administratë zgjedhore, lista të hapura dhe votë emigrantësh”

Murrizi ishte në rezidencën e ambasadores amerikane së bashku me tre kolegë, Rudina Hajdari, Edmond Stojku dhe Nimet Musai, një diskutim që zgjati për rreth 90 minuta. /tvklan.al