“Para se të takohemi me Vuçiçin të takohemi mes veti”

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se delegacioni shtetëror i Kosovës u përgjysmua që kur ishte në avion duke udhëtuar drejt Uashingtonit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mustafa ka deklaruar se në LDK nuk ka konfuzion se a duhet të shkojë Kryeministri në Uashington apo jo, pasi kjo parti beson fuqishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Në Uashington shkohet me përkrahje të partive të koalicionit dhe të opozitës, sikurse edhe të të gjitha institucioneve shtetërore, jo vetëm me bindjen se kush duhet t’i prijë delegacionit”.

Mustafa i ka kthyer përgjigje deklaratave që thonë se tashmë Hoti kishte shansin t’i rinte delegacionit meqë nuk është Thaçi. Sipas kryetarit të LDK-së “Nuk kemi të bëjmë me Z. Thaçi dhe z. Hoti, por kemi të bëjmë me shtetin e Kosovë”.

Prandaj para se të takohen me Vuçiçin, Mustafa thotë se përfaqësuesit e Kosovës duhet të takohen mes njëri-tjetrit, për të gjetur rrugët dhe zgjidhjet e qëndrueshme.

“Në situatën e krijuar, para se të takohemi me Vuçiçin nevojitet të takohemi edhe një herë mes veti, të ulemi të gjithë bashkë të bisedojmë, të gjejmë rrugë dhe zgjidhje të qëndrueshme. Të sigurojmë funksionimin e të gjitha institucioneve shtetërore, sepse pa funksionimin normal te tyre, është iluzore se mund të ecet me marrëveshje”.

Presidenti Hashim Thaçi anuloi pjesëmarrjen në takimin në Uashington që pritej të mbahej më 27 Qershor. Vendimi erdhi pasi Zyra e Prokurorisë Speciale publikoi një aktakuzë ndaj tij dhe kreut të PDK-së Kadri Veseli për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Ndërkohë këtë të enjte edhe kryeministri Avdullah Hoti lajmëroi se nuk do të marrë gjithashtu pjesë në takimin me Serbinë që pritej të mbahej në Shtëpinë e Bardhë./tvklan.al