Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa është shprehur se Europa me Kosovën si anëtare të saj, do të jetë më e plotë.

Mustafa këtë koment e ka bërë gjatë konferencës së përbashkët me shefen për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Federica Mogherini dhe komisionerin për Punë të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopulos, të cilët ndodhen për vizitë në Kosovë.

“Unë vlerësoj se Kosova me njerëzit e saj punëtorë, me resurse natyrore dhe optimizmin ka gjithçka që i nevojitet që aspiratat e qytetarëve të saj të realizohen. Kosova është histori suksesi, prandaj integrimi në BE është vlerë drejtuese për shoqërinë kosovare. Kosova ka nevojë për Evropën por edhe Evropa do të jetë më e plotë me Kosovën”,

ka thënë Mustafa.

Duke folur për takimin me Mogherinin dhe Avramopulosin, Mustafa tha se kanë folur për liberalizimin e vizave, proceset integruese, luftimin e korrupsionit, ekstremizmit, terrorizmit si dhe për vazhdimin e mëtejmë të dialogut me Serbinë.

Në këtë kuadër, Mustafa përmendi edhe marrjen e rekomandimit për liberalizimin e vizave, të cilën e cilësoi si “arritje të madhe të Kosovës” dhe së bashku me MSA-në, sipas kryeministrit kosovar, shteti do të ketë hapësirë më të madhe për progres.

Sa i përket liberalizimit të vizave dhe rregullave të udhëtimit në BE, Mustafa tha se Kosova do të jetë shembull për respektimin e këtyre rregullave.

“Konstatuam se e ardhmja e Kosovës është në gjirin e familjes evropiane, se kosovarët e shohin Europën si shtëpinë e tyre të përbashkët me europianët e tjerë”.

Ai ka shtuar gjithashtu se qeveria do të bashkëpunojë me qytetarët e saj duke bërë që Kosova të jetë model për zbatimin e rregullave të lëvizjes së lirë./tvklan.al