Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se vetë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti duhet ta vlerësojë nëse do të jetë pjesë e takimit që do të zhvillohet më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, mes zyrtarëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë.

“Tani kemi një situatë të re, dhe në këtë situatë të re, ai duhet ta bëjë vlerësimin vetë, në konsultim edhe me partnerët e koalicionit”, ka thënë Mustafa.

Ai i ka bërë këto komente pas ndërprerjes së udhëtimit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në Uashington, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e “të tjerëve”, siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit.

Në një komunikatë për media, Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se “Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se dyshimet e ngritura nga Zyra e Prokurorit Special, në kuadër të Dhomave të Specializuara, janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë.

Sa i përket kësaj çështjeje, Mustafa ka thënë se për Lidhjen Demokratike të Kosovës, lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, luftëtarët e UÇK-së kanë luftuar për ta mbrojtur qytetarin e Kosovës, kundër gjenocidit, krimit të organizuar dhe terrorit të Serbisë.

Ne përkrahim plotësisht Gjykatën Speciale, që ajo të punojë në mënyrë të pavarur, por konsiderojmë se ne duhet ta mbrojmë, ta vlerësojmë dhe ta cilësojmë ashtu siç e ndjejmë luftën e UÇK-së, dhe luftëtarëve të UÇK-së”, ka thënë mes tjerash Mustafa. /REL