Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i është përgjigjur me një letër kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti. Në letër thuhet se LDK është e gatshme për marrëveshje por me kandidate për kryeministre Vjosa Osmanin.

“LDK-ja është e hapur që marrëveshja të lidhet, nën drejtimin e kandidates sonë për kryeministre, znj. Vjosa Osmani”.

Më herët Albin Kurti ka propozuar një zgjidhje tjetër për postin e kryeministrit. Nëpërmjet një letre ai ka kërkuar që të shkojnë në zgjedhje, me një listë të përbashkët si LDK dhe LVV pa kandidat të parathënë e të njëanshëm për kryeministër.

“Ne nuk mund t’ju nënshtrohemi vendimeve të Këshillit të Përgjithshëm të një partie tjetër. Ne jemi Lëvizja VETËVENDOSJE!. Kushtëzimet për kandidatin për kryeministër nuk mund t’i pranojmë. Mirëpo, sot, duke pasur parasysh shansin unik për të hapur një kapitull të ri për shtetin tonë, ne propozojmë një alternativë të re për koalicionin tonë. Le të garojmë me një listë të përbashkët si LDK dhe LVV, pa kandidat të parathënë e të njëanshëm për kryeministër, por le të bëhet ajo ose ai që fiton më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Pra, znj.Vjosa Osmani, ose, kandidati ynë i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, varësisht cili merr më shumë vota”, thuhet në letrën e Kurtit.

Letra e plotë e Isa Mustafës:

Letër drejtuar Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Z. Albin Kurti

I nderuari Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti

Gjatë muajve, javëve dhe ditëve të fundit, LDK-ja ka punuar shumë dhe hapur, për të arritur një marrëveshje bashkëpunimi me VV-në, me qëllim që të lidhim koalicion parazgjedhor dhe për të garuar së bashku më 6 Tetor.

LDK-ja me kohë e ka bërë të ditur se njeh dhe e vlerëson pritshmërinë e qytetarëve të Kosovës për këtë bashkëpunim. LDK-ja është e hapur që marrëveshja të lidhet, nën drejtimin e kandidates sonë për kryeministre, znj. Vjosa Osmani. Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së e ka miratuar unanimisht kandidaturën e znj. Osmani, prandaj ajo e ka përkrahjen e plotë të LDK-së për të kryesuar listën si kandidate për kryeministre dhe për të fituar zgjedhjet.

LDK-ja është subjekti më i madh politik në Kosovë, ka besimin më të madh, ka përkrahjen më të madhe, prandaj edhe do ta udhëheqë vendin. Propozimi juaj shpie, nga gara me të tjerët, në garë ndërmjet nesh, ndërsa kjo do të dëmtonte seriozisht interesin e përbashkët.Po ashtu, LDK-ja vlerëson se një listë pa një prijës të nominuar, është një listë pa krye dhe pa orientim të qartë. LDK-ja shpreh gatishmërinë e plotë që të vijojë bashkëpunimin me VV-në, tani apo dhe pas zgjedhjeve dhe e konsideron atë si partner në kauzën për të shpëtuar vendin nga krimi, korrupsioni, zhvatja dhe për ta nxjerrë vendin nga izolimi. Me respekt, Isa Mustafa./tvklan.al