“S’ka vija të kuqe për bashkëpunimin pas zgjedhjeve”

Lidhja Demokratike e Kosovës do të garojë në zgjehdjet e ardhshme të parakohshme parlamentare e vetme. Kryetari i kësaj force, Isa Mustafa në një intervistë për mediat në Kosovë, tha se nuk do të bëjnë koalicion me asnjë nga subjektet kryesore politike në vend, por la të hapur mundësinë e bashkëpunimit me forca të vogla.

“Ne koalicion nuk do të bëjmë me asnjë subjekt politik. Por ne mund të jemi të hapur siç kemi vepruar edhe vitet e fundit për disa subjekte politike që ata mund t’i bashkëngjiten listës tonë me disa vende nga lista prej 110 kandidatëve për deputet”.

Sa i përket bashkëpunimi paszgjedhor, Mustafa thotë se LDK nuk ka vija të kuqe për asnjë parti poliitke, mjafton vetëm që ato të respektojnë parimet e një partneriteti.

“LDK-ja nuk mund të vejë më vija të kuqe të bashkëpunimit me askënd për arsye se asnjë subjekt politik nuk është ai që do të fitojë shumicën në kuvend dhe që mundet vetë ta bëjë Qeverinë. Nuk do të mundemi edhe ne nëse dalim të parët dhe nuk do të mundet edhe një subjekt tjetër politik nëse del i pari. Por ne mund të bashkëpunojmë me dikë nëse ata do ta respektojnë LDK-në”.

Sa i përket kandidaturës për Kryeministër me të cilën LDK do të dalë në zgjedhje, Mustafa thekson se kjo forcë ka akoma Kryeministrin Hoti në zyrë dhe nuk mund të flasë ende për këtë çështje. Lidhur me debatin për zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm, Mustafa shprehet se është për një zgjidhje e cila nuk akumulon pozitat kryesore të vendit te një subjekt politik.

Tv Klan