“Strategjinë tonë të dialogut të mos e marrë vesh Serbia”

Kanë mbetur edhe më pak se dy javë kur pritet edhe të zhvillohet takimi ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe në Uashinton, ndërsa ende vërehen përçarje ndërmjet faktorit politik në Kosovë.

Edhe pas takimit të së hënës ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka vazhduar me akuza ndaj Kryeministrit Hoti sa i përket dialogut.

Kjo edhe ka zgjuar reagimin e kryetarit të LDK-së Isa Mustafa i cili ka kërkuar nga faktori politik në Kosovë që Serbia të mos i marrë vesh përplasjet e brendshme sa i përket dialogut nëpërmjet debateve televizive, ndërsa ka paralajmëruar se mund të largohen nga koalicioni qeverisës ata që shikojnë vetëm interesat personale e partiake.

“Duhet të kemi kujdes që për strategjinë tonë të mos e marrë vesh Serbia përmes debateve në studiot tona televizive dhe përplasjeve të brendshme, sepse kjo në start e dëmton pozicionin dialogues të Kryeministrit tonë”.

Aktualisht është duke u shikuar mundësia e zgjerimit të koalicionit edhe me PDK-në. Ndërsa Kryeministri Avdullah Hoti gjatë ditës nuk e ka folur asnjë fjalë as për koalicionin qeverisës e as për takimin e Uashingtonit.

Para se të udhëtojë për në Uashington ai ka vizituar komunën e Deçanit e cila udhëhiqet nga AAK-ja, ndërsa bashkë me kryetarin e komunës ka vizituar edhe Manastirin e Deçanit.

Është kujdesur që të gjejë zgjidhje për vazhdimin e rrugës Deçan-Plavë.
Punimet e kësaj rrugë janë ndërprerë në pjesën ku menaxhohet nga Manastiri i Deçanit pas kërkesës udhëheqësve të kësaj të fundit. Manastiri i Deçanit është zonë e mbrojtur ndërsa ka në pronësi 24 hektar tokë. 

Tv Klan