Me takimin e sotëm në Bruksel, Kosova dhe Serbia po fillojnë fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, ka thënë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Mustafa ka deklaruar se takimi i sotëm është i një formati të veçantë, si rrjedhojë e proceseve dhe ngjarjeve të fundit.

“Presim që ky takim të jetë fillim i fazës përfundimtare të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë takim të nivelit të lartë, ku do të marrim pjesë së bashku me presidentin e Republikës, do të prezantojmë qëndrimet e institucioneve të shtetit tonë”, ka thënë kryeministri.

Tensionimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka shtyrë shefen e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini që të ftoj në takim në Bruksel, nivelin më të lartë politik nga Prishtina dhe Beogradi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa, pritet të jenë ballë për ballë me presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikoliç dhe kryeministrin Aleksandar Vuçiç.

“Kohëve të fundit ka pasur veprime sistematike të Serbisë për të destabilizuar gjendjen në Kosovë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo edhe përmes strukturave të tyre paralele”, ka theksuar Mustafa.

Kosova, ka vijuar kryeministri, është e përcaktuar për paqe, për siguri e fqinjësi të mirë me të gjitha vendet.

“Por, po ashtu jemi shumë të vendosur që të mos lejojmë ndërhyrje të askujt në punët e brendshme të Kosovës dhe të parandalojmë dhe evitojmë çdo provokim i cili ka për synim destabilizimin e situatës në vendin tonë”, ka theksuar ai.

Ndër kërkesat kryesore të Prishtinës zyrtare në takimin me palën nga Serbia në Bruksel, Mustafa ka thënë se do të jetë ajo për ndaljen e fletë-arresteve politike ndaj qytetarëve të Kosovës dhe ajo për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Ftesa e Brukselit për liderët politik në Prishtinë dhe Beograd pasoi tensionet e vazhdueshme, të cilat pasuan disa veprime të Serbisë në raport me Kosovën.

Mbajtja në fuqi e urdhërarresteve ndërkombëtare të Serbisë ndaj ish-udhëheqësit e UÇK-së dhe figurat politike nga Kosova, pastaj ndërtimi i murit në veri të Mitrovicës dhe nisja e trenit ‘provokativ’ nga Beogradi për në Mitrovicë, si dhe reagimi i Kosovës se “do t’u kundërpërgjigjet këtyre provokimeve”, besohet se ishin arsyet që Brukseli kërkoi t’i ketë në një tavolinë njerëzit kryesor të politikës nga Kosova dhe Serbia.

Prishtina dhe Beogradi, patën arritur Marrëveshjen e parë të normalizimit të marrëdhënieve pas 10 raundeve të bisedimeve, më 19 prill, 2013.

Inicialet në këtë marrëveshje i patën vendosur, ish-kryeministrat, Hashim Thaçi për Kosovën dhe Ivica Daçiq për Serbinë./ tvklan.al

Burimi: REL