Dënimin me 40 vite burg të Radovan Karaxhiç e ka komentuar edhe Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili e ka cilësuar si të pamjaftueshëm dënimin për ish-liderin e serbëve të Bosnjë e Hercegovinës, që kishte bërë krime lufte e gjenocid mbi popullin boshnjak, megjithatë ai thotë se ky është triumf i drejtësisë.

Kryeministri në profilin e tij në Facebook, shkruan se vendimi i Gjykatës së Hagës që u mor pasditen e së enjtes për Karaxhiçin, është dëshmi se asnjë kriminel lufte nuk do t’i shpëtojë drejtësisë.

“Dënimi për krime kundër njerëzimit dhe për gjenocid i kriminelit serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, është fitore e drejtësisë mbi krimet e llahtarshme, të organizuara dhe të kryera nga Serbia kundër popujve të Ish-Jugosllavisë gjatë viteve të ’90-ta. Dënimi me 40 vjet burg nga Tribunali i Hagës, megjithëse i pamjaftueshëm, është tregues se të gjithë organizatorët dhe kryesit e krimeve makabre të organizuara nga regjimi i atëhershëm serb, do të ballafaqohen me drejtësinë”.

Karaxhiç dhe bashkëpunëtorët e tij në Beograd e kudo gjetkë, nuk mund t’i shpëtojnë gjykimit të botës demokratike për vuajtjet dhe krimet e panumërta që i shkaktuan në këtë rajon”, ka shkruar kryeministri.

Mustafa thotë se ka ardhur koha që të dënohen edhe të gjithë ata kriminelë, që nën udhëheqjen e Slobodan Milloshefiçit kanë qenë doras të krimeve të luftës në Kosovë.

Presim dënimin e të gjithë drejtuesve të makinerisë kriminale të regjimit të Millosheviçit, përfshirë ata që vranë mijëra njerëz në Kosovë, shumë prej të cilëve janë ende të pagjetur”, ë

shtë shprehur Mustafa.

Radovan Karaxhiç, ish lideri i serbëve të Bosnje Hercegovinëz është dënuar për gjenocid dhe për krime të luftës për periudhën kohore 1992-1995 dhe është dënuar me 40 vjet burg nga Gjykata e Hagës, raporton Klan Kosova.

Gjykata e Hagës e ka shpallur atë fajtor për 10 nga 11 akuzat, përfshirë edhe për gjenocid në masakrën e Srebrenicës në vitin 1995./tvklan.al