ISHP: Mbi 40 kampionë në Londër, por ende nuk ka përgjigje

Për shkak të dyshimeve se mutacionet e covid-19, si variant britanik kanë prekur vendin tonë, ISHP ka dërguar prej javësh mbi 40 kampione në një laborator në Londër. Sipas specialistes virologe në ISHP, Iris Hasibra ende nuk ka një përgjigje për llojin e mutacionit.

“Në laboratorin e referencës ne kemi dërguar një përzgjedhje të kampioneve, rreth 40-50 kampione të cilat janë përzgjedhur me imtësi në lidhje me performancën e tyre laboratorike dhe mbi të dhënat epidemiologjike të cilat janë regjistruar në laboratorin tonë. Është një përzgjedhje e cila ka shpërndarje demografike dhe grupmosha të ndryshme.”

Muajt e fundit niveli i transmetueshmërise dhe infektimeve është rritur ndjeshëm, ndikim sipas specialistëve kanë patur edhe mutacionet e covid-19.

“Variantet e reja në qarkullim të këtij virusi kanë bërë të mundur rritjen e transmetueshmërisë, për shkak të ndryshimit të këtyre pjesëve kryesore të receptorve të cilët lidhen në qelizat ku ato modifikojnë dhe përbërjen e tyre dhe është parë dhe një rritje e infektimeve dhe një ashpërsi e sëmundjes.”

Përhapës të infeksionit janë të gjitha grupmoshat, por ulja e vigjilencës mbetet problem.

“Të gjithë njerëzit të grupmoshave të ndryshme janë transmetues dhe janë objekt i transmetimit të sëmundjes duke filluar nga grupmoshat e vogla deri te ato më të mëdha. Do të theksoja uljen e vigjilencës në lidhje me ndërgjegjësimin e transmetueshmërisë, mendoj që duhet të rritet më shumë ndërgjegjësimi në grupmoshat aktive.”

Ditët e para të Marsit kanë regjistruar rreth 6 mijë raste pozitive, ndaj autoritetet shëndetësore i bëjnë apel qytetarëve të respektojnë me përpikmëri masat anti-covid.

Klan News