Veliaj: Krenar për atë që bën Tirana


Muza Competition, konkursi i dedikuar të rinjve në fushën e modës bëri bashkë krijues nga të gjitha trevat shqipfolëse. Sheshi “Italia” u shndërrua mbrëmjen e 14 qershorit në një pasarelë mode për 10 finalistë. I pranishëm, Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj shprehu mirënjohje për realizimin e të tilla konkurseve në kryeqytet.

“Pas asaj që ndodhi në Ukrainë me Rusinë, të gjithë kujtohemi se miqtë, sidomos fqinjët, nuk duhet t’i marrim për të mirëqenë. Ne jemi shumë krenarë për fqinjët tanë sepse ne shqiptarët rrethohemi nga tanët, nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe ndaj sot jam shumë i lumtur që, për këtë fqinjësi, që është më shumë se sa fqinjësi, është gjaku ynë, ne kemi dedikuar këtë edicion.”

Modelja që mori duartrokitje të panumërta nuk ishte detyrimisht ajo me veshjen më të bukur, por ajo që edhe pse humbi këpucën, vijoi rrugën.

“Ajo modelja ishte shumë e qartë që destinacioni, misioni është më i rëndësishëm se sa mjeti. Ndonjëherë mund të shkojmë zbathur, ndonjëherë mund të shkojmë me këpucë, ndonjëherë mund të shkojmë me veshje sportive, ndonjëherë me veshjet më të çmuara, por destinacioni është shumë më i rëndësishëm se sa mjeti, që i çon shqiptarët atje ku duhet, në familjen evropiane”.

Muza Competition është një projekt që rijetëzon elementet etnografikë në fushën e fashion-dizajnit. Fituese u shpall Klara Kazani me koleksionin “Nën vello”.  Në këtë edicion, më shumë se 1,000 të rinj nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, aplikuan për të qenë pjesë e finales së madhe.

Tv Klan