“Muzeu Etnografik i Elbasanit është monument kulture i kategorisë së parë dhe është një prej stancioneve kryesore për turistët dhe vizitorët në Elbasan. Muzeu ndodhet në një shtëpi karakteristike, bëhet fjalë për një shtëpi, identitare të këtij qyteti, më shumë se 300 vjeçare dhe që i përkiste një familje të kamur të asaj kohe, familjes Sejdini”, raporton gazetarja e Tv Klan, Anisa Krraba.
“Në Elbasan ka pasur shumë shtëpi të tilla sepse ka pasur dhe familje të mëdha dhe të shquara, por shumica nuk ekzistojnë më”, tha Albana Drenogllava, arkitekte dhe supervizore e punimeve.
“Të gjithë jetesën e qytetit e gjen këtu, është trashëgimia kulturore, janë veshjet mënyra si shtrohej sofra, mënyra si rrinin”, tha Kliti Kapaj, drejtor i Muzeut Etnografik të Elbasanit.
Muzeu Etnografik i Elbasanit u mbyll në Tetor të vitit të shkuar, për t’ju nënshtruar procesit të restaurimit dhe konsolidimit të strukturës për t’u rihapur sërish në mars të këtij viti.
“Ishin ndërhyrje imediate, shumë të nevojshme, siç ishin çatia, dritare, apo dhe pjesë të tjera që ishin të armotizuara”, tha Kapaj.
“Ka nevojë për restaurimin e oborrit, zëvendësimin ndoshta të mënyrës si janë ekspozuar materialet sot”, tha Drenogllava.
Muzeu na jep një panoramë të jetës së dikurshme të familjeve të kamura të këtij qyteti.
“Këtu gjen dhomën e burrave, dhomën e vajzave, dhomën e çiftit. Është një fragment i copëzuar i jetës së përditshme të qytetit”, tha Kapaj.
“Të huajt impresionohen me bukurinë e objektit, larminë e artefakteve që ndodhen këtu, veshjeve tradicionale”, tha Drenogllava.
“Për herë të parë e vizitoj me familjen dhe ky muze më sjell shumë nostalgji për shtëpitë karakteristike të qytetit tim, dhe për gjithë traditën, kulturën që kemi. Më vjen keq që nuk e kemi ruajtur të vjetrën”, tha një turist.
“Kontekstin historik, mentalitetin e asaj kohe, por edhe çështjet e traditës mund t’i kuptojmë më së miri përmes kësaj dhome. Quhet dhoma e pajës dhe ishte tërësisht e dedikuar për vajzat e familjes të cilat që të vogla duhej të investoheshin për të bërë pajën e tyre për ditën më të rëndësishme që ishte ajo e martesës”, raportoi gazetarja.
Ndërhyrja e nevojshme për restaurimin dhe konsolidimin e objektit kushtoi 7 milion Lekë, ndërsa pritet të ketë të tjera investime që do të përmisojnë infrastrukturën dhe linjën muzeale. Aty ruhen 800 objekte të rralla etnografike.
Tv Klan