Mundësinë që në një ditë të vetme të behësh pjesë e historisë që ekspozohet në brendësi të institucionit më të rëndësishëm muzeor, atij historik kombëtar, po e shfrytëzojnë kryesisht fëmijët.

Thirrjes së këtij institucioni për t’i nxjerrë nga arkiva personale në publik objektet e së kaluarës i janë përgjigjur, Elsi 10 vjeç dhe Dalini 8 vjeç. Në pjesën e pasme të Muzeut Historik Kombëtar, aty ku ndodhet atriumi, nga specialistët e edukimit përmes artit është improvizuar një kënd ekspozimi, ku dy fëmijët prezantojnë objekte të trashëguara nga gjyshërit.

Më shumë se për vitet e ekzistencës së këtyre vathëve apo këtij kompleti pirunësh, fëmijët vlerësojnë mundësinë që i jepet për ta ndarë historinë e tyre me të tjerët, për të bërë miq të rinj si në rastin e Elsit dhe Dalinit dhe për qenë sa më afër institucioneve të kulturës.

Kjo nismë e njohur si “Muzeu im” zhvillohet prej tre vitesh, por deri më tani intensiteti i reagimit të qytetarëve është i ulët. Specialistët e projektit thonë se ata i frikësohen idesë se objektet do t’ua përvetësojë Muzeu Historik Kombëtar. Për këtë arsye në njoftim theksohet se çdo objekt që e sillni e rimerrni.

Tv Klan