Vera e vitit 2021 duket mjaft e nxehtë dhe artistët janë angazhuar duke sjellë hite të reja dhe kryesisht bashkëpunime. Duket sikur pandemia e vitit të shkuar i ka shtyrë të bashkojnë forcat me njëri-tjetrin për të prodhuar suksese dhe këngë që do të dëgjohen në makinë, në bare, plazhe, klube e kudo. Muaji i parë i stinës së nxehtë, Qershori duket se ka qenë vetëm nxehja fillestare, pasi në ditët e para të Korrikut janë publikuar bashkëpunimet më të shumëpritura, por edhe solo.

Tayna ft L’Algerino – “La Boca”

Dita e parë e Korrikut ishte e Taynës që erdhi me ritme dhe paraqitje latine në bashkëpunimin e saj të dytë me artistin L’Algerino në “La Boca”. Kënga është pritur shumë mirë nga publiku dhe deri më tani numëron mbi 1 milion klikime në Youtube.

Rita Ora ft Sigala – “You for Me”

Artistja me origjinë shqiptare, Rita Ora bashkoi forcat me DJ britanik të muzikës elektronike për të sjellë një këngë verore të përshtatshme për të kërcyer. Nuk kanë munguar komentet pozitive dhe lëvdatat për këngëtaren që nuk e ka zhgënjyer kurrë publikun në zgjedhjet e saj.

Blasta – “Combo”

Reperi shqiptar zgjodhi ritme RnB dhe hip hop për projektin e tij, të shkruar nga vetë ai. Blasta është herë pas here aktiv në muzikë dhe sjell këngë që përqafohen shpejt nga audienca.

Stresi – “Po foli i fundit”

Ndryshe nga të tjerët, Arkimed Lushaj ka ardhur me zhanrin e tij dallues, repin dhe kësaj here me një “diss”. Titulli është referencë nga kënga e reperit të ri, Don Xhoni “Unë foli i fundit”, ndërsa Stresi e titulloi projektin e tij “Po foli i fundit”, pas gjithë diss-eve që janë bërë kohët e fundit mes shumë reperëve, si Noizy, Varrosi, Don Xhoni, MatoLale etj,  për t’i vënë kapakun në 6 minuta rep.

Noizy – “Tunde”

Noizy sjell sërish ritme afrikane me “Tunde”, njësoj siç bëri me hitin “Toto”. Kënga e re e reperit po vlerësohet në masë dhe ka mbi 600 mijë klikime pas publikimit të saj nga dita e djeshme. Projekti pasoi bashkëpunimin “Ti, ti” me Elgit Dodën dhe mendohet të jetë një nga këngët e albumit “Alpha” të Noizy-t.

2Ton – “Qika”

Nuk bën kurrë mungesa në hitet verore emri i 2Ton. Autor i këngëve të tij në muzikë e tekst, artisti ka dalluar gjithnjë në stilin e tij dhe ka marrë gjithnjë përkrahje të menjëhershme nga dëgjuesit. “Qika” ka mbi 420 mijë klikime deri më tani.

Butrint Imeri, Kida & Ledri Vula – “Dale”

Trioja e publikoi bashkëpunimin në orën 00:00 të mbrëmjes së 3 Korrikut dhe ka arritur në 12 orë të grumbullojë mbi 1.1 milionë klikime. Duket se “Dale” kryeson shifrat deri më tani dhe do të jetë kryefjala e Verës. Të tre artistët kanë qenë mjaft aktivë në muzikë këtë vit, por ky bashkëpunim pritet të jetë vula e padiskutueshme e sukseseve verore të tyre.

Ndërkohë, pritet bashkëpunimi i Nora Istrefit, Gjikos dhe Melinda Ademit “Ay Caramba”, që ka ndezur kureshtjen e fansave dhe Tayna në një bashkëpunim me Don Xhonin. NRG Band ka paralajmëruar një këngë të re, gjithashtu edhe Blero do të vijë në një bashkëpunim me Albos./tvklan.al