Deputeti Myslym Murrizi ka akuzuar qeverinë dhe mazhorancën socialiste se po tallet me qytetarët shqiptarë, të cilët janë në vështirësi ekonomike pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019 dhe pandemisë së koronavirusit.

Gjatë fjalës së tij në Parlament, Murrizi iu drejtua deputetëve socialistë duke u thënë se nuk kanë guxim të takohen me qytetarët shqiptarë.

Ai madje shkoi më tej duke thënë se do të vijë dita kur qytetarët do të ngrihen për të kërkuar llogari, dhe sipas Murrizit, situata do të jetë më e rëndë se trazirat e vitit të mbrapshtë 1997.

Kemi deklaruar që të çojmë sovranitetin te vota e qytetarëve shqiptarë. Fshiheni si djalli temjanit se keni frikë. Një ditë qytetarët shqiptarë do të vendosin vetë edhe të jeni të bindur që në këtë sallë nuk ka për të ardhur manekinë dhe kllounë që nuk ja u ka parë njeri surratin në asnjë katund, në asnjë lagje, në asnjë cep të Shqipërisë.

Edhe tallja ka një kufi. Edhe durimi ka një kufi. Halli dhe sikleti që ka zënë shqiptarët nga tërmeti i parë, tërmeti i dytë, nga virusi dhe nga qameti i të gjitha qeverive që në kurriz të tyre vetëm vjedhin dhe bëjnë sikur ju dhimbsen shqiptarët në ditë fatkeqësie duke u qurravitur nëpër shtëpitë e rrëzuara nga tërmeti, apo duke trokitur në derë me qese të turpit të politikës shqiptare sikur po i shpëtojnë me 5 mijë Lekë të vjetra, unë besoj se do t’i vijë shumë shpejt fundi. Nuk mund t’i mbani përjetësisht nën tutelën e dy birbove dhe të dy tufave të vogla eunukësh, nuk mund t’i mbani përjetësisht. Kur të ngrihen shqiptarët, do ju duket ’97-ta mjaltë.

Rrugën për në Durrës e keni 4 korsi, do harroni të merrni brekë e kanatjere me vete. Ju mendoni se mund t’i robëroni? Ju mendoni se mund t’i kyçni atyre vullnetin për të zgjedhur me votë ata që duan? E keni gabim! Të gjithë së bashku, por ju më shumë, jeni zero përpara fuqisë së votës së qytetarëve shqiptarë”, tha ndër të tjera deputeti Myslym Murrizi. /tvklan.al