Më 9 Dhjetor 2017, në derën e shtëpisë së tij në Lezhë u vra Aleksandër Ndoka, i cili ka qenë zyrtar i njohur në këtë qytet.

Njëkohësisht ai ishte edhe vëllai i ish-deputetit Arben Ndoka. Sot, djali i të ndjerit, Samuel Ndoka ka folur nga arratia për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus për të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj tij. Ai është person në kërkim për një rast të kultivimit dhe shitjes së kanabisit.

Samuel Ndoka thotë se vrasja e babait të tij, arrestimi i të afërmve dhe shpallja e tij në kërkim janë ngjarje të lidhura me njëra-tjetrën.

Sipas tij, arrestimet e familjarëve përpara vrasjes së babait janë bërë për të “pastruar terrenin”, sikurse shprehet vetë.

Samuel Ndoka: Policia që vinte për kontroll shpesh në shtëpitë tona ose tek arrestimi im dhe i kushërinjve të mi para ngjarjes së babit, mendoj që mund të ketë lidhje me ngjarjen e babit. Mund të lidhen ngjarjet me njëra-tjetrën.

Spartak Koka: Sot, pasi ka kaluar 3 vite e gjysmë nga kjo ngjarje, vrasja e babait tuaj, keni dijeni se kush mund ta ketë vrarë dhe për cilën arsye?

Samuel Ndoka: Nuk kemi asnjë dijeni.

Spartak Koka: Çfarë mund të më thuash tjetër për këtë ngjarje? Ju jeni liruar 3 muaj pas vrasjes së babait tuaj.

Samuel Ndoka: Po.

Spartak Koka: Dhe pas 3 muajsh të tjerë ju jeni shpallur sërish në kërkim.

Samuel Ndoka: Unë mendoj se këto ngjarje kanë lidhje me vrasjen e babait tim, se dhe para se të vritej na arrestuan të gjithëve, u pastrua terreni, na larguan të gjithëve nga këtu, ndodhi ajo që ndodhi. Pas ngjarjes u arrestuam të gjithë, 5 anëtarë të familjes time, u arrestua xhaxhai im që ishte ish-deputet, u arrestua halla me burrin e hallës që kishin foshnjen 9-muajshe në shtëpi.

Spartak Koka: Për operacionin e famshëm të dosjes 339.

Samuel Ndoka: Po. U arrestuan gjithë xhaxhallarët e mi të tjerë.

Spartak Koka: Ndërkohë në burg nga pjesëtarët e familjes tuaj është vetëm…

Samuel Ndoka: Xhaxhai i vogël.

/tvklan.al