Tre persona dyshohet se kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që ka përfshirë tre banesa në një lagje të Beratit.

Banorë të zonës kanë treguar për Klan News se i kanë marrë në telefon në orën 12 të natës dhe u kanë thënë që ka rënë zjarr. Më pas ata kanë lajmëruar menjëherë zjarrfikësen.

“Na morën në orën 12 të natës dhe na thanë që ka rënë zjarr tek Xhovani. Morëm zjarrfikësen direkt në telefon. Tani në mëngjes po del trupi i Xhovanit. Kaq. Mendojmë se janë tre persona, por se sa është e vërteta nuk e di. Këtu gjetëm vetëm flakë”, thonë fqinjët.

Zjarri mësohet se ka rënë pak pas mesnate në një prej shtëpive të lagjes “Muzakaj” dhe më pas është përhapur në dy shtëpitë e tjera ngjitur si dhe në katin e tretë të një pallati përballe.

Në vendngjarje mbërritën forcat e policisë dhe ato zjarrfikëse të cilat bën fillimisht izolimin e flakëve, ndërsa mëngjesin e sotëm mësohet se kanë gjetur edhe trupin e një prej viktimave.

Dy prej personave që dyshohet se kanë mbetur të vdekur nën rrënojat e shtëpive të djegura janë babë e bir. Një prej viktimave dyshohet se ka qenë i paralizuar ndaj dhe e ka pasur të pamundur të dalë nga banesa kur ka rënë zjarri.

Klan News