Tenisti u mund nga Borna Coric 2-1 me sete, por spanjolli vëmendjen e ka te turneu i US Open

Rafael Nadal nuk u shqetësua shumë për eliminimin në turneun e Cincinnati Open, pasi u mund nga Borna Coric 7-6 4-6 6-3.

Tenisti spanjoll u rikthye të luajë pas gjashtë javësh pushim si pasojë e një dëmtimi në muskujt e barkut.

Synimi i Nadalit është turneu i US Open, ku ai kërkon që të realizojë një rekord të ri duke shkuar në 23 Grand Slame të fituara.

Spanjolli nuk kishte luajtur që pas tërheqjes nga turneu i Uimbëlldonit në gjysmëfinale kundër Nik Kiriosit në fillim të Korrikut.

36-vjeçari nuk mori pjesë as në turneun e Montrealit, ndërsa humbjen ndaj kroatit e justifikoi me kohën e pakët në fushë.

“Unë nuk luajta ndeshjen time më të mirë, diçka që ndodh. Erdha pas një periudhe të vështirë, kështu që urime Bornas sepse luajti më mirë. Duhet të përmirësohem, praktikohem dhe të kthehem edhe më i fortë. Pra, kam nevojë për disa ditë më shumë. Ka qenë e vështirë ta menaxhoj këtë dëmtim”.

Nadal e ka fituar turneun e US OPEN katër herë, për herë të fundit në vitin 2019. Ai do t’i nënshtrohet testeve për të konfirmuar që gjithçka është në rregull me dëmtimin, që ende ndikon në psikologjinë e tenistit.

U.S. Open nis më 29 Gusht në Nju Jork.

Klan News