Tenisti spanjoll tha pas kualifikimit në raundin e tretë në Uimbëlldon se po aplikon masa ekstra

Rafael Nadal tregohet mjaft i kujdesshëm kur nuk është në fushë, pasi i trembet infektimit me Covid-19. Spanjolli ka vendosur që të marrë masa ekstra, pasi tre emra të njohur në tenis u tërhoqën nga turneu i Uimbëlldonit pasi u infektuan.

Pas kroatit Marin Ciliç, italianit Mateo Berettini, edhe spanjolli Roberto Bautista lajmëroi se nuk do të luante për shkak se rezultoi pozitiv me Covid-19.

Nadal u infektua me koronavirus në fund të vitit të shkuar.Pas fitores 6-4 6-4 4-6 6-3 ndaj Ricardas Berankis, që i mundësoi kualifikkimin në raundin e tretë, spanjolli tha për mediat se lëvzjet e tij ishin kufizuar.

“Jo, kjo nuk është paranojë. Ky është realitet. Miku im Roberto Bautista u detyrua që të tërhiqej nga turneu, një tjetër rast pozitiv. Kur të tilla gjëra ndodhin, kjo vjen sepse ka shumë raste rreth e përqark. Nuk po bëj shumë gjëra, thjesht po rri këtu e pastaj në shtëpi, nuk po dal më. Kjo është pjesë e kësaj sfide që po hasim në vitet e fundit në botë. Nuk po them që nuk po i bëjmë gjërat siç duhet, sepse në një farë pike kemi nevojë që të hapim gjithçka sërish, të jemi të lirë, të kemi jetë normale”.

Pandemia detyroi organizatorët që të anulonin turneun e Uimbëlldonit në vitin 2020, por këtë vit nuk ka kufizime, e gjithahtu vaksinimi nuk është i detyrueshëm për tenistët pjesëmarrës.

Gjithashtu organizatorët vendosin që në stadiume të operohet me kapacitet të plotë.

Klan News