Vetëdeklarim dhe vërtetim në Bashki për pronësinë mbi tokën

Ministria e Bujqësisë ka lehtësuar procedurat e aplikimit për fermerët që duan të përfitojnë nga skema e naftës pa taksa. Me një udhëzim të fundit, afati i lënë për aplikimin në skemën e subvencioneve është data 30 Mars, ndërsa janë hequr disa kritere për dokumentacionin që vërteton përdorimin e tokës.

Në rastet kur akti i marrjes së tokës në pronësi nuk konfirmohet nga Agjencia e Kadastrës, i jepet mundësi dokumentit për t’u verifikuar nga Drejtoria e Administrimit të Tokës në bashki apo qark, ndërsa për kontratat e qiramarrjes, është hequr kushti që të jenë të noterizuara, por kërkohet vetëm firma e të dy palëve.

Por edhe nëse këto raste nuk do të zbatohen, aplikimet do të konsiderohen të vlefshme edhe për ato që vetëdeklarojnë pa patur një dokument mbështetës pronësie, mjafton të marrin një vërtetim në bashki.

Perimet, drurorët, bimët arrore dhe ato medicinale dhe perimet fushore janë kulturat që do të përfitojnë nga skema e subvencioneve. Bujqit do të marrin një kartë me anë të të cilës do të përfitojnë falas gjysmën e karburantit që nevojitet për kulturën që kultivojnë.

Karta ka përllogaritur heqjen e akcizës, taksës së qarkullimit dhe karbonit si dhe TVSH-në, të cilat përbëjnë gjysmën e çmimit të një litri naftë.

Deri në 25 Shkurt kishin aplikuar në total 14.250 fermerë, nga 56 mijë të regjistruar me nipt, çka bëri që autoritetet të lehtësojnë procedurën e të shtyjnë afatin.

Tv Klan