Kompania Shell që po bën kërkime për naftë dhe gaz në zonën e Shpiragut në Berat, në Tetor do të bëjë testin e fundit për të parë sasinë e këtyre burimeve natyrore.

Kryeministri Edi Rama dhe zv/Kryeministrja Belinda Balluku dolën sot në një konferencë shtypi për të komunikuar që deri më tani rezultatet janë të mira dhe maksimumi në muajin Janar 2024 pritet përgjigjia përfundimtare nëse Shell do të vendosë të vazhdojë aktivitetin në Shqipëri.

Por cilat do të jenë përfitimet ekonomike të vendit tonë nga zbulimi i naftës në Shpirag?

Zv/Kryeministrja Balluku bëri të ditur se shteti do të marrë 10% të rentës minerare nga kompania Shell so dhe tatimin-fitimin në masën 50%, që tashmë është dakordësuar. Po kështu është edhe bonusi i prodhimit për fuçitë e naftës, si dhe të tjera përfitime.

Por elementi më i rëndësishëm është krijimi i fondit sovran që do të krijohet për të administruar të gjitha të ardhurat financiare që do të vijnë nga kjo pasuri nëntokësore, që tejkalon 500 milionë Eurot në vit.

“Përsa i përket produktit që është një e ardhur që zgjat nga 25-30 vite në bazë të kontratës, kanë të bëjnë me rentën minerare e cila në Republikën e Shqipërisë ose në rastin e këtyre kontratave është e dakordësuar 10% renta minerare mbi produktin. Ndërkohë tatim-fitimi është në masën 50% i dakordësuar. Nga ana tjetër kemi bonusin e prodhimit që është 250 mijë Dollarë me prodhimin e fuçisë së parë, 750 mijë Dollarë kur prodhimi arrin 15 mijë fuçi, 1.5 milionë Dollarë kur prodhimi arrin 30 mijë fuçi në ditë, ndërkohë që janë dhe të gjitha bonuset e tjera. Ajo çka është më e rëndësishmja për qeverinë është granti i faktorit R që do të aplikohet nga fillimi i kësaj kontrate. Çfarë presim nga prodhimi? Ne kemi rënë dakord me kompaninë që mos deklarojmë skenarët që ata kanë marrë për bazë. E vetmja gjë që, nga momenti që ne kemi filluar punën për ngritjen e një fondi sovran do të thotë që nuk janë të ardhura 500 milionë Euro në vit të cilat shkojnë direkt në buxhetin e shtetit për të mbuluar nevojat, por flitet për të ardhura shumë më të larta të cilat nuk mund të menaxhohen nga buxheti i shtetit dhe do të menaxhohen nga fondi sovran ashtu siç ka ndodhur me naftën në Norvegji, Arabi Saudi, Azerbajxhan dhe kudo tjetër”, tha ndër të tjera zv/Kryeministrja Belinda Balluku.

Ndërsa Kryeministri Edi Rama u shpreh se nëse gjithçka shkon mirë, nafta e cilësisë premium që do të nxirret nga nëntoka e Shpiragut do të ndikojë edhe në uljen e çmimit të karburantit.

/tvklan.al