“Nafta ruse mban erë gjaku ukrainas sot…”

Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba tha gjatë një fjalimi televiziv të shtunën se vendi i tij kërkon sanksione më të forta kundër Rusisë.

“Ato përfshijnë, ndër të tjera ndalimin e bankës ruse Sberbank nga SWIFT, mbylljen e porteve europiane për anijet ruse, mbylljen e aksesit të Rusisë në kriptovalutat dhe ndalimin e blerjeve të naftës ruse”, tha Kuleba.

“Nafta ruse mban erë gjaku ukrainas sot”, tha ministri i Jashtëm, duke shtuar se “blerja e saj është si të financosh krimet ruse të luftës”.

Ai përsëriti thirrjen e Ukrainës për aleatët ndërkombëtarë për të mbrojtur hapësirën ajrore të Ukrainës nga bombardimet pa dallim nga rusët dhe për t’i siguruar vendit avionë luftarakë dhe mbrojtje ajrore, raketa dhe armë.

Mesazhi im për botën është i qartë. Kur të gjithë liderët europianë dhe të tjerë në të gjitha ceremonitë gjatë gjithë vitit, përsërisin ato fjalë të veçanta, ‘kurrë më’, tani duhet të dëshmojnë me veprime se i qëndrojnë atyre fjalëve”, tha Kuleba, duke iu referuar bombardimeve naziste të kryeqyteteve evropiane gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Të tregoni tani që keni mësuar nga e kaluara, se një forcë e re brutale në Europë mund të ndalet përpara se të tërheqë të gjithë kontinentin në një konflikt shkatërrues”, tha ministri i Jashtëm.

Gjatë mesazhit, Kuleba vlerësoi guxim e admirueshëm që treguan para pushtuesve të armatosur rusë protestuesit në qytetin jugor të Ukrainës, Kherson, duke i treguar se “ata janë ukrainas dhe qyteti i tyre i përket Ukrainës”.

“Mesazhi i popullit heroik ukrainas është i thjeshtë”, tha ai. “Rusë, shkoni në shtëpi. Jeni në tokë të huaj ku askush nuk ka nevojë për ju. Dhe askush nuk ju pret me lule. Putin, lëre të qetë Ukrainën. Nuk do ta fitoni këtë luftë”, theksoi Kuleba./tvklan.al