Në prezantimin e programit, Rama: Siguruam vaksinat edhe pas braktisjes së BE

Pandemia Covid-19 ka bërë që kryeministri Edi Rama të reflektojë për skuadrën që do kërkojë votën në 25 prill. Me argumentin se duhet të dëgjohet zëri i brendshëm i atyre që luftojnë me armikun e padukshëm, kreu i qeverisë ftoi shefen e infektivit Najada Çomo, për të kandiduar për deputete në Tiranë, një propozim që nuk është refuzuar prej saj.

“Ne nuk duam që ti të bëhesh si ne, ne duan që ne të bëhemi si ty, dhe për këtë na ndihmon prania jote, shumë faleminderit”, tha Rama.

“Është më shumë se një vit pune dhe koha më vonë do ta tregojë se sa shumë vite pune kemi investuar të gjithë së bashku brenda atyre mureve të spitaleve”, tha Çomo.

Situata e viteve më parë në sistemin shëndetësor, për kryeministrin Edi Rama tregon më së miri arritjet e qeverisjes së tij deri më tani.

“Spitalet me çarçafë të zverdhur nga larjet dhe tharjet shumëvjeçare, spitalet me instrumenta mjekësor të vjetër dhe të pasterilizuar, që i kishin bërë infeksionet post-operatore një rutinë të sistemit tonë shëndetësor. Kush më thotë që nuk ishte kjo shëndetësia që kishim në Shqipëri?”, u shpreh Rama.

Gjatë prezantimit të programit për shëndetësinë, nuk harroi të përmendte sërish përpjekjet për të siguruar vaksinën anti-covid pas braktisjes nga BE, duke bërë atë që sipas kryeministrit, konsiderohet të lypësh për vendin.

“Pritëm që BE të na jepte menjëherë vaksinim me vendet anëtare, pa menduar që do liheshim pa asnjë dozë. Vendosëm të marrim rrugën dhe të trokasim në derën e Pfizer dhe t’i ulemi në gjunjë, duke shtrirë dorën dhe duke lypur”, tha Rama.

Në këtë udhëkryq, kryeministri Edi Rama kërkon që vota të shkojë për PS, dhe jo për kundërsharët e tij politikë që sipas tij u bënë aleat me Covid-19.

“A mundet në këtë udhëkryq t’i besohet fati atyre që firmosën atë koalicionin tragjikomik që, nisur nga dita e parë e luftës zgjodhën të bëhet aleatë me Covid-19”, theksoi Rama.

Ministrja Ogerta Manastirliu lajmëroi se nga procesi i vaksinimit kanë përfituar 15 mijë persona nga personeli shëndetësor dhe pensionistët.

“Sot ne kemi mbi 15 mijë jetë të mbrojtura duke filluar nga mbrojtja e jetëve të personelit shëndetësor. Duke filluar gjithashtu me të moshuarit mbi 80 vjeç”, u shpreh Manastirliu.

Krah ministres dhe kryeministrit Rama ishte dhe Shpresa Marnoj, nga shërbimi shëndetsor në Laç. Ajo  mund të jetë një prej kandidatëve në listat e 25 prillit.

Klan News