Pavarësisht kërcënimeve të ashpra, kryetarja e Dhomës së Ulët të Kongresit amerikan Nensi Pelosi i sfidoi Pekinin dhe zbriti aeroportin e Taipeit, kryeqytetit të Tajvanit.

E shoqëruar edhe nga anëtarë të tjerë të kongresit, Pelosi u prit nga ministri i Jashtëm i Tajvanit, Xhozef Uu. Përmes Tuiterit, Pelosi e konsideroi vizitën e delegacionit nga kongresi amerikan si shprehje e angazhimit të palëkundur të Shteteve të Bashkuara për të mbështetur atë që e quajti “demokraci kumbuese” të Tajvanit.

Mijëra banorë të Taipeit dolën rrugëve për të përshëndetur autokolonën e saj që shkonte drejt hotelit, duke qenë e para zyrtare e lartë që viziton ishullin në çerek shekulli. Axhenda vijon të Mërkurën me takime me presidenten Cai Ing- Uen.

Pekini reagoi ashpër duke akuzuar Shtetet e Bashkuara për tradhti dhe veprime destabilizuese. Qeveria kineze urdhëroi që për tre ditë me radhë, nga e Mërkura, të zhvillohen manovra ushtarake ajrore dhe detare me të shtëna të vazhdueshme përgjatë ngushticës së Tajvanit, çka mund të përbëjë premisë për nisjen e një sulmi ushtarak ndaj ishullit.

Autoritetet kineze këshilluan që asnjë anije e avion të mos qarkullojë në zonën ku kryen stërvitjet. Kina thotë se vizita e zyrtares së lartë amerikane përbën shkelje të integritetit territoral, pasi e konsideron Tajvanin si pjesë përbërëse të territorit të saj. Në mbështetje të Pekinit u shpreh edhe Moska zyrtare.

Tv Klan