Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano ishte i ftuar në emisionin “Opinion Plus”, nga ku foli për takimin “surprizë” me kryeministrin Berisha, si dhe tensionin politik që shkaktoi ky takim.

“Problemet që i sjell tensioni politik zhvillimit të Shqipërisë dhe shoqërisë shqiptare duket se nuk mund të përballohen me nervozizëm apo me tension. Përderisa mungon tensioni elektrik, do të ishte luks që politika të përpiqej ta kompensonte mungesën e tensionit të zhvillimit.

Do të dukej mungesë modestie të thoja që unë edhe në burg nuk kisha tension, në sensin e arsyetimit përse ndodhin burgosjet dhe padrejtësitë në politikë. Një periudhë e moderuar burgosjeje, që unë kreva 10-12 vjet më parë, më ka shërbyer për të arsyetuar pa tension se çfarë nuk funksionon në politikën shqiptare dhe në raportet e shtetit me shoqërinë. Duket se ngasja më realiste dhe më logjike në komunikimin me publikun do të ishte që politika, në mënyrë të veçantë për shkak të trashëgimisë komuniste që ka patur shumë ndikim në jetën e njerëzve, duhet të evitojë hakmarrjen, tensionin dhe konfliktin. Për këtë arsye ndodhin dhe çudira të tilla si takimi i fundit Nano-Berisha.

Njerëzit që akuzohen apo mbeten në vëmendjen e publikut si ushqyesit e tensionit dhe konfliktit në politikën shqiptare, edhe nga takimi i fundit, në vlerësimin tim rezulton që kanë mundësinë më të madhe apo arsyen më të përshtatshme për të arsyetuar për nevojën e evitimit të konfliktit, largimit të tensioneve nga politika, e cila transmetohet në shoqëri në mënyrë kritike.

Së pari unë jam i ndryshëm nga Berisha, jo vetëm për shkak se në 15 vjet të protagonizmit tim në politikë. Berisha është partneri dhe kundërshtari im më i qëndrueshëm në politikën shqiptare për shkak se është lideri i së djathtës së re, me të cilin unë, si lideri i së majtës së re, kam ndarë një eksperiencë marrëveshjesh dhe konfliktesh, të cilat i kanë dhuruar shoqërisë shqiptare këtë zhvillim dhe moszhvillim që fotografohet në mënjanimin apo përsëritjen e krizave të caktuara. Jo vetëm politike, por edhe me pasoja në ekonomi dhe në mbarëvajtjen e iniciativave të lira të njerëzve.

I pyetur nga drejtuesi i emisionit “Opinion Plus” nëse mendon se njerëzit janë lodhur nga binomi Nano-Berisha, ish-kryeministri u shpreh: “Unë për shkak të eksperiencës të kësaj prezence të gjatë, që ju mendoni se ka lodhur shoqërinë, vlerësoj se shoqëria dhe politika shqiptare, ballafaqimi i Shqipërisë me botën dhe me qytetarët e saj, mendoj se është e lodhur nga konflikti në politikë për të zgjedhur alternativat më të mira të zhvillimit. Ju keni të drejtë të fokusoheni në këtë pyetje dhe ndjeshmërinë që ajo mbart, pasi nxitësit e konfliktit kanë qenë Nano dhe Berisha. Unë kam gjetur jo për herë të parë më 11 Janar, por në mënyrë të përsëritur tek partneri i zhvillimit demokratik të vendit me konflikte, te lideri i së djathës, zoti Berisha, njeriun që për shkak të eksperiencës pozitive dhe negative më është përgjigjur me të njëjtin shqetësim për nevojën e evitimit të konflikteve në politikë, sidomos te efektet negative të tyre në shoqëri dhe në iniciativat e qytetarëve për të sjellë pavarësisht ankthit dhe krizës që krijon politika, vendin dhe shoqërinë në kontakte komunikuese me botën e zhvilluar.

Gjuha që kam përdorur 1 vit e gjysmë më parë për zotin Berisha është gjuhë elektorale. Ju po më ftoni të rishfaq gjuhën time, pas 1 vit e gjysmë heshtje dhe më kujtoni që për shkak të situatës elektorale kam folur më shumë seç duhet. Fushatat elektorale kanë për fat të keq një logjikë që për shkak të politikave të konfliktit, synojnë të likujdojnë kundërshtarin në mënyrë absolutiste dhe pastaj rezulton që komuniteti elektoral i lodhur nga politika dhe gjuha e urrejtjes, nuk rrjeshtohet, është i rëndësishëm për rezultatin e zgjedhjeve.

Duart e mia me Berishën si politikan nuk takohen për herë të parë. Këtë herë shtrëngimi i durave mes meje dhe kryeministrit të Shqipërisë më dha mundësinë të rishfaq vlerësimin tim për transformimin e munguar të vendit, për rolin e munguar të politikës në europianizimin e Shqipërisë, si dhe të përsëris dhe të gjej të njëjtin reagim të përgjegjshëm dhe të mbështetur në eksperiencë nga kundërshtari dhe partneri politik i 15 vjetëve, zoti Berisha, për të krijuar një situatë ndryshe politike.

Unë nuk i përkas atyre politikanëve që konkurrencën politike e mbështesin mbi likujdimin e qeverisë dhe të kryeministrit si armik. Unë siguroj në thelb moderacionin e qëndrimeve të të dy palëve dhe një hapësirë më të madhe për faktorët ndërkombëtarë, të cilët janë shumë të shqetësuar për absurdin ku u fut debati politik për zgjedhjet në Shqipërti, për shkak të konfliktit të të dy palëve. Kjo po e sillte vendin në një krizë kritike, e cila përveç zgjedhjeve vendore rrezikonte dhe stabilitetin e institucioneve për ardhmërinë e marrëdhënieve të shtetit me qytetarët, si dhe të Shqipërisë me partnerët europianë.

Nuk besoj se zoti Berisha apo zoti Nano prej eksperiencës dhe stabilitetit politik respektiv, i cili nuk është i përbashkët, nuk mund të shiten kaq kollaj, siç është për pazar personal. Dua të them që jo për herë të parë Nano dhe Berisha takohen në gjendje kritike të politikës dhe të raporteve të saj me Kushtetutën dhe me ecurinë normale të demokracisë në Shqipëri. Ju mund të më akuzoni që prezenca ime është e vonuar në këtë proces, por unë kam qenë besnik me tërheqjen nga roli aktiv në politikë pas humbjes së zgjedhjeve dhe ndërhyra duke vlerësuar gatishmërinë që gjeta te kryeministri, në momentin që vlerësova që duhej në mesazh më shumë për të sjellë politikën në standardet e normaletit që kurrë nuk kanë bllokuar zgjedhjet në Shqipëri. Nga zgjedhjet varet fati i demokracisë nga rotacioni apo vijimësia e pushteteve, varet fati i zhvillimit. Unë bëra detyrën si interpretues autoritar i vullnetit të së majtës në marrëdhënie me autoritetin më të qëndrueshëm të së djathtës.

Unë jam shumë i njohur për publikun saqë qasjet që zoti Nano është autor apo aktor i prapaskenave politike për interesat e tij personale apo familjare, nuk më rezultojnë se ngjisin deri më sot, pavarësisht se dominojnë shtypin e ditës. Unë po konfirmoj që takimet e mia me zotin Berisha deri më sot, të cilat nuk janë as spektakolare, as të ezauruara, as të ndodhura për herë të parë, e as për të fundit, nuk mundet që për shkak të elektricitetit të palëve dhe përfaqësuesve të tyre të përfundojnë në pazare”./tvklan.al