Fatos Nano në një rrëfim të rrallë në emisionin “Opinion” në Tv Klan ka treguar arsyen e largimit nga politika në vitin 2005. Në një rrëfim përballë Blendi Fevziut, ish-kryeministri tha se largimi i tij ishte parimor, pasi në statutin e partisë ishte sanksionuar që humbësi jep dorëheqjen.

Më tej ai ka treguar se është një ndjekës i rregullt i politikës dhe shton se i vetmi që i kërkon këshilla sot është Kryeministri Edi Rama.

Blendi Fevziu: Përse vendosët të largoheshin në vitin 2005? Ishit 53 vjeç, shumë i ri për t’u larguar.

Fatos Nano: Me thënë të drejtën e fundit që mu kujtua në atë moment ishte mosha. Vendimi ishte parimor sepse, dreqi e mori politikani nëse nuk respekton disa parime që janë shtylla e punës së tij nuk ka të drejtë të bëj asgjë tjetër. Parimor sepse e shkruam me vullnet në statutin e partisë, në imitim dhe të partive të tjera simotra që kur humbet zgjedhjet largohesh. Nuk ishte ndonjë largim dënim, apo pa kthim. Unë kur dhashë dorëheqjen thash se do jem në mbështetje të bashkëpunëtorëve të mi.

Blendi Fevziu: Do ta bënin sot po të ishit?

Fatos Nano: Tani më duhet të kujtojë moshën të parën.

Blendi Fevziu: E ndiqni politikën sot?

Fatos Nano: Natyrisht që e ndjek, E ndjek jo në detaje që ta largojnë, duke qenë jo shumë aktiv, e ndjerë në prirje në zhvillime thelbësore, natyrisht po ta shohësh në këtë mënyrë, janë shumë zhvillime pozitive që po ndodhin, që duhet mbështetur që të ndodhin. Në besimin tim nuk duhet të prerë me këmbët e para, por duhet të krijohen mekanizma të tilla, pavarësisht nga drejtimi politik që ku janë njerëzit më të aftë të bashkohen rreth këtyre ideve dhe projekteve. Specialistët, profesionistët duhet të punojnë bashkë në Shqipëri se nuk janë shumë. Kujtoj me nostalgji se si bëmë konferencën e parë shkencore me Gramoz Pashkon e ndjerë, si model dhe nuk u bë asnjë pengesë se kur ka bindje të ndryshme politike kur do të përfaqësosh vendin.

Blendi Fevziu: A jepni këshilla sot, ua kërkon dikush lidhur dhe me eksperiencën shumë të gjatë që keni në politikë.

Fatos Nano: I pari dhe i fundit që ma kërkon me dëshirë dhe me pahir është kryeministri i sotëm. Kemi krijuar një raport funksional, politik dhe njerëzor me të cilin shkëmbejmë mendime për gjëra thelbësore. Atij i pëlqen të thotë se ka një avantazh shumë të madh, që ai ka kë të pyes e unë s’kam pasur asnjë./tvklan.al