Dita e së vërtetës. Pas garës që zgjati 37 javë, Napoli dhe Interi kanë arritur në aktin e fundit, për të 28-ën herë në histori, titulli në Serie A do të caktohet në ndeshjen e fundit.
Dueli do të zhvillohet në distancë. Napoli pret në shtëpi Cagliari-n, që ka siguruar mbijetesë, skuadër ku portieri kuqezi, Alan Sherri do të jetë titullar.
“Kampionatin e fiton skuadra që e ka merituar më tepër në 38 ndeshje, kupat kanë tjetër specifikë. Ndjejmë përgjegjësinë t’i dhurojmë tifozëve të Napolit diçka të bukur dhe historike. Duhet të përfundojmë punën e nisur”, tha Antonio Conte.
Interi luan trasfertën me Como-n, që ka garantuar vendin e dhjetë në renditje. Kristjan Asllani pritet të luajë nga minuta e parë për zikaltërit. Fitorja është detyrim, me shpresën se Napoli do të ndalet. Nëse rivalët humbin, ekipit të Inzaghi-t do t’i shërbente edhe barazimi, për të luajtur finalen e titullit.
Inter dhe Napoli zbresin në fushë mbrëmjen e sotme, prej orës 20:45, për t’i dhënë fund një prej sfidave më të zjarrta të viteve të fundit në Serie A italiane.
Tv Klan