Napoli barazoi me Barcelonën në stadiumin “Maradona” 1-1 në sfidën e parë të raundit të 16-ve të Ligës së Kampioneve. Katalanasit e nisën me më ritëm takimin dhe u shfaqën të rrezikshëm.

Të kaltrit u kujdesën për mbrojtjen, ndërsa pas 30 minutave të para, e shtuan presionin.  Barcelona kaloi në avantazh me Robert Levandovskin në minutën e 60 të lojës. Por “Maradona” festoi pas 15 minutash falë Osimen, që u rikthye pas dy muajsh jashtë me gol.

Në përfundim të sfidës, trajneri Çavi Hernandez analizoi paraqitjen e ekipit të tij.

“Mendoj se bëmë një ndeshje të shkëlqyer, si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Realizuam golin dhe më pas krijuam shumë raste. Ishim mjaft mirë në sulm! Mendoj se nga mënyra se si luajtëm meritonim fitoren, por kjo është Liga e Kampionëve. Nëse gabon në sulm, e mbrojtja të jep mundësinë të bësh gol, rivali nuk të fal. Por largohem i kënaqur nga këtu!”, tha Hernandez.

Ndërsa tekniku i Napolit Françesko Kalzona është optimist për vazhdimësinë e ekipit.

“Të luash ndaj Barcelonës është e vështirë për të gjithë. Ky barazim na mban në garë dhe ne duam të kalojmë raundin sepse Napoli duhet të aspirojë kualifikimin. Barcelona do të ketë të njëjtin synim! Do të jetë një lojë e vështirë, por ne duam të përmirësohemi”, u shpreh Kalzona.

Kualifikimi do të vendoset në sfidën e kthimit në Barcelonë më 12 mars.

Klan News