Italianët barazojnë me Union Berlin, Sociedad “thyen” mallkimin dhe kualifikohet më tej

Napoli ndërlikon rrugën drejt raundit të radhës në UEFA Champions League. Italianët nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 ndaj Union Berlin. Rivaliteti i nisur nga tifozët jashtë stadiumit nuk u ndje aspak në fushën e lojës, me dy skuadrat që u kujdesën për të mos humbur. Politano kaloi në epërsi Napolin në fundin e pjesës së parë, falë një goli korombolesk. Goli i gjashtë për sulmuesin në këtë sezon, i cili ka kontribuar për Napolin në 9 realizime në 15 ndeshje në të gjitha garat. Dy takime nga fundi, Napoli numëron 7 pikë, për të lënë pas Bragën. Ndërkaq, aventura e Union Berlin në Champions League përfundon pas kësaj sfide.

Fitore spektakolare dhe kualifikimin më tej e regjistroi Real Sociedad. Spanjollët triumfuan 3-1 ndaj Benfikës në një përballje ku humbi edhe penallti. Baskët shënuan fitoren e parë në shtëpi pas 20 vitesh, për të thyer kështu ecurinë negative prej 4 barazimesh dhe 3 humbjesh. Dy sfidat e radhës, ato të kthimit ndaj Inter dhe Salzburg do të jenë vetëm statistikore për Sociedad, me spanjollët që do kërkojnë pikët vetëm për të garantuar vendin e parë në grup. Ndërkohë Benfika eliminohet nga Liga e Kampionëve, por jo nga Europa, pasi mund të tentojë kalimin në raundet me eliminim direkt të Europa League.

Klan News