Largimi i Luciano Spalletit ka vënë në lëvizje drejtuesit e Napolit. Jugorët po kërkojnë prej kohësh një trajner të ri, me emrat që sa vijnë e shtohen. Së fundmi, në lupën e dëshirave të tyre ka përfunduar Paulo Sousa. Performanca e mirë në stolin e Salernitanës, ku arriti të shpëtojë skuadrën nga rënia ka rritur potencialin e portugezit, që duket se është gati për një hap të madh në karrierë. Mundësia për të marrë drejtimin e Napolit konsiderohet si mjaft e madhe nga mediat italiane, me Sousa që është padyshim kandidatura kryesore e kampionëve italian.

Bindja e 52-vjeçarit do të ishte e thjeshtë, duke parë edhe pretendimet financiare të përballueshme nga ana e Napolit. Por gara për kreun e pankinës së Napolit është tepër e ashpër. Në listën e dëshirave qëndrojnë edhe Christophe Galtier dhe Rudi Garcia. Galtier ka një kontratë me PSG-në deri në vitin e ardhshëm, por dështimi për të arritur objektiva madhor ka bërë që në Paris të mendojnë prishjen e marrëveshjes.

Madje, presidenti i Napolit, Aurelio de Laurentiis ka zhvilluar tashmë takime me francezin, që shihet si një alternativë tepër interesante. Më e thjeshtë mund të konsiderohet pista që e dërgon te Garcia. Ai tani është pa kontratë që prej largimit nga Al Nassr dhe rikthimi në Itali, pas eksperiencës te Roma pak vite më parë e intrigon 59-vjeçarin.

Klan News