Rrezikon humbjen 3-0 ndaj Juventus

Napoli nuk udhëton për në torino për shkak të koronavirusit. Rreziku nuk është në qytetin verior të Italisë por skuadra e Napolit ka vendosur të respektojë rreguloren shëndetësore të autoriteteve lokale të qytetit.

Çështja është kthyer jo vetëm në shqetësim për Federatën e Futbollit por janë përfshirë edhe struktura shtetërore. Dy futbollistë të Napolit rezultojnë pozitivë me koronavirus dhe pjesa tjetër e lojtarëve është urdhëruar të karantinohet.

Nga ana tjetër Juventus ka zbritur në fushë në seancën e fundit për të përcaktuar detajet e mbetura për formacionin. Bardhezinjtë kanë deklaruar se do të jenë të pranishëm në stadium në orën e ndesshjes.

Ekziston i fortë rreziku që Napoli ta humbë takimin 3-0 në tavolinë. Ekipi i De Laurentiis po mendon të ankimojë, pasi zyra shëndetësore rajonale e Napolit ka deklaruar se në këtë rast i takon asaj të vendosë për shëndetin e qytetarëve të Napolit, qofshin këta edhe lojtarët e skuadrës së futbollit.

Por liga e futbollit italian është shprehur me anë të një deklarate në rrjetet sociale duke thënë se takimi është në program. Kjo do të thotë që Napoli do të penalizohet nëse nuk paraqitet në Alianz Stadium të Torinos.

Tv Klan