Napoli është kampion i Italisë për sezonin 2024-2025. Skuadra e drejtuar nga Antonio Conte siguroi titullin vetëm në javën e fundit.
Të kaltrit, triumfuan 2-0 ndaj Cagliarit në shtëpi, në një ndeshje të dominuar totalisht. Supergoli i McTominay në pjesën e parë dhe goli i Lukakut në fraksionin e dytë, i dhanë triumfin vendasve.
Pas një sezoni të vuajtur dhe të luftuar, Napoli ia del të kurorëzohet kampion në Serie A.
Rivaliteti me Interin zgjati deri në javën e fundit dhe diferenca mes dy ekipeve ishte vetëm 1 pikë.
Napoli e mbylli si kryesues me 82 pikë, ndërsa Interi u ndal në kuotën e 81 pikëve.
Ky është titulli i katërt kampion për Napolin, në historinë e klubit. Siç edhe pritej, festa pas vërshëllimës përfundimtare ishte e madhe, me tifozët që ishin përgatitur për këtë moment gjatë gjithë javës.
Paralelisht, Interi bëri detyrën duke fituar 2-0 ndaj Comos, por nuk mjaftoi për vendin e parë.
/tvklan.al